"Është shalqi me provë", Rama kërkon votën e mallakastriotëve për Qerim Ismailajn
Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri i vendit, Edi Rama, u kërkoi banorëve të Mallakastrës votën me 14 maj për Qerim Ismailajn, vetëm pak orë pasi Kolegji Zgjedhor vendosi se kandidati socialist mund të vijojë garën.
"Ky është shalqi me provë. Kalë karroce më të fortë për ta çuar vendin përpara se PS nuk gjeni dot. T'ja kursesh gjyshit rrotullimin 7 herë në varr kur ti të vësh kryqin aty te Like floriri".
Sulmoi Sali Berishën dhe Ilir Metën ndërsa tha se koalicioni opozitar i kërkon bashkitë për luftë politike me qeverinë.
"Gjithmonë vendi, bashkia, komuna, fshati, kanë bërë mbrapa."
Nga Patosi ku kërkoi votën për Fatjon Duron e PS-së, Rama foli dhe për objektivat e qeverisë.
"Deri në 2025 do ta çojmë në 45 mijë lekë pagën minimale që të shkojmë patjetër në një pagë minimale 60 mijë lekë dhe të ardhura për frymë 10 mijë euro".
Në Roskovec ku Majlinda Bufi kërkon një mandat tjetër në krye të bashkisë në logon e PS, Rama kërkoi vijimësi.
"Kanë Shkodrën që e kanë qeverisur që nga zgjedhjet e para pluraliste dhe që është sot qyteti më i papastër i Shqipërisë. Roskoveci ngado të hedhësh sytë nuk ka një copë letër përtokë."
Turi i PS-së vijoi në një takim me gra dhe vajza në Fier dhe më pas me mbjellje pemësh dhe prezantimin e kandidatit për bashkinë Divjakë.