"Shqipëria mund të dalë nga Arbitrazhi" Berisha: Dënoj me forcë deklaratën, fatura e proceseve shkon në 600 mln euro
Për ish-kryeministrin Sali Berisha fatura që Shqipëria do të duhet të paguajë në Arbitrazh shkon në mbi 600 milionë euro. Duke renditur disa nga rastet ai theksoi se shkak është korrupsioni dhe ndërprerja e njëanshme e kontratave.
Kreu i PD-së Sali Berisha reagoi sot opas deklaratës së kryeministrit Rama se Shqipëria mund të dalë nga juridiksioni i Arbitrazhit pas vendimit për t'i paguar 110 mln euro dëmshpërblim Beccetit.
Berisha deklaroi se Rama kërkon të ndëshkojë Shqipërinë me korrupsionin e tij jo vetëm me këtë dëmshpërblim por edhe në të tjera, duke sjellë rastin e konfiskimit të televizionit RTV Ora.
"Sikundër dënoj me forcën më të madhe, deklaratën prej zuzari të Edi Ramës, i cili sot është shprehur se mund të dalim nga juridiksioni i gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Arbitrazhi Ndërkombëtar është nën ombrellën e Bankës Botërore, rrjedhimisht të OKB-së.
Kjo pasi institucionet e Bretton Woods, BB, FMN dhe IFC, janë institucione të OKB-së.
Arbitrazhi i kësaj organizate është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët, për të gjithë vendet anëtare të BB dhe OKB.
Edi Rama, për shkak të korrupsionit të tij të tmerrshëm, kërkon të ndëshkojë Shqipërinë, tani jo vetëm 110 milionë euro sa është gjoba, por në shumë e shumëfishin e saj, për të mos thënë 100fishin e saj.
Po në këtë arbitrazh dhe arbitrazhe të tjera, janë një seri procesesh të cilat shkojnë më së paku, 600 milionë euro.
300 milionë euro shkon vetëm arbitrazhi për licencën e naftës që iu hoq një kompanie për t’iu dhënë një kompanie ruse të Duçkës, Nezës dhe McGonigal.
Arbitrazhi i terminalit të Portit të Durrësit është në përfundim e sipër dhe shkon një ndëshkim shumë i madh financiar, pasi Eid Rama në mënyrën më korruptive ka përzënë për interesa strikt korruptive, kompaninë që kishte marrë konfirm të gjitha rregullave, kalatat e mallrave.
Shkon në shuma shumë të mëdha arbitrazhi po me Beketin po për Vjosën.
Edi Rama, në një vendim mirëfilltë korruptiv, ndërhyn në një problem mes dy kompanive private, i paftuar. Dhe ajo që nuk ndodh kurrë, përzën një kompani, përzen Beketin nga urrejtja që kishte.
Ndërkohë që kompania tjetër nuk kishte asnjë ankesë për Beketin, dhe kompania tjetër nuk ishte dosido, por ishte Deutsche Bank.
Është në proces dhe së shpejti përfundon edhe gjyqi me Aktorin, ndaj të cilit janë sjellë në mënyrë banditeske.
Pasi janë korruptuar plotësisht, u prishën në pazare dhe i përzunë në kundërshtim me rregullat tregtare. Aktor e ka të sigurt, sipas informacioneve që kam unë, sepse prishja ka qenë absolutisht në dhunim të kontratës.
Ajo që ndodh është se në disa nga këto arbitrazhe, bashkëshortja ka qenë Avokate e Shtetit, bashkëshorti ka qenë avokat i të paditurit. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër.Mos u habisni nëse këto gjoba janë ndarje parash mes paditësve dhe të paditurve," tha Berisha.
Berisha deklaroi se një gjë e tillë do të ndodhë edhe me televizionin RTV Ora, pasi konfiskimi i televizionit është bërë me dokumente të flasifikuara.
"Një gjë është e sigurt: nëse për Agon Channel u pagua 100 milionë, faturë e tmerrshme do vijë për Ora News. Konfiskohet televizioni me dokumente të falsifikuara, që nuk mund t’i marrë për bazë asnjë gjykatë.
Nuk do jetë më pak e kripur fatura që do vijë për resortin Prestige, eksplodimi i të cilës ushtoi në të gjithë Europën në kundërshtim me çdo rregull dhe ligj," tha Berisha.