Qeveria: Rrisim pagat! Tabaku: Kush do ta paguajë faturën? Ekonomia rrezikon të futet në spiralen e një krize inflacioni!
Nga data 1 prill do të rriten pagat për punonjësit e stafeve mbështetës të administratës shtetërore në disa kategori.
Është ky vendimi i qeverisë i njoftuar mëngjesin e sotëm nga ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, e cila bëri të ditur se pagat do të rriten për sektorin e shëndetësisë, policisë së burgjeve, policisë së shtetit, zjarrfikësit, gardën, mësuesit si dhe për punonjësit në kategoritë mbështetëse në administratën publike.
“Miratimi i ndryshimeve në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, pak ditë më parë i hap rrugën miratimit të disa projektvendimeve të tjera për rritje page dhe për të përcaktuar disa bonuese speciale, në kuadër të objektivit të qeverisë për rritje të eficiencës së administratës publike, si dhe për shpërblimin e disa pozicioneve të caktuara, që duhet të jenë konkurruese me tregun, të tilla si sektori I IT dhe pozicione të tjera të lidhura me sigurinë kibernetike, por edhe sektorë të tjerë ku janë hasur mungesa ekspertësh si te bujqësia”, tha Ibrahimaj.
Por teksa qeveria vendosi të rrisë pagat për administratën dhe disa kategori, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka ngritur shqetësimet mbi pasojat që mund të sjellë ky vendim.
Në një reagim në ‘Facebook’ Tabaku theksoi se kjo do të rrezikonte që ekonomia të futej edhe më shumë në spiralen e një krize inflacioni.
"Kush do ta paguajë faturën? Natyrisht shqiptarët! Ditën e sotme qeveria lajmëroi se do të rrisë pagat për sektorin publik. Një nismë shumë e vonuar duke pasur parasysh se konkurrenca e sektorit publik ka qenë e ulët në lidhje me pagat madje nën këtë qeveri për herë të parë në vite kemi pasur dhe rënie të pagës reale. Dëshmi se si të gjitha reformat e ndërmarra nga 2013 e këndej kanë rezultuar në flluskë sapuni, pasi sot në kohë të vështira duhet të tregonim rezistencë ndërsa tregojmë dobësim dhe dështim.
Pra, rritja e pagave mund të ishte (edhe duhet të ishte) kryer kohë më parë por reformat e kësaj qeverie nuk kanë pasur synim forcimin e administratës por tkurrjen e saj dhe dobësimin e saj.
Sot, gjithsesi ministrja e Financave deklaroi se rritja e pagave do të vijë nga rritja e të ardhurave. Cilit zë të të ardhurave? Struktura e të ardhurave në vendin tonë e ka barrën më të madhe fiskale tek grumbullimi i TVSH-së, që ka filluar të bjerë si pasojë e uljes së konsumit. Ky i fundit, përmes reaksionit zinxhir, ka nisur të bjerë si pasojë e rritjes së çmimeve të inflacionit socialist.
Shqipëria renditet e fundit në rajon për pagën minimale e mesatare, për të ardhurat për frymë e për shumë tregues të tjerë. Nga ana tjetër inflacioni bazë është më i larti në rajon e gjasat jamë që kjo do të vazhdojë. Ndërkohë që ka pasur dhe një rritje taksat në sektorin privat ku profesionistët sot do të paguajnë deri në 23 përq, rritja pagës minimale do sjellë rritjen e pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetesore.
Në të gjitha rastet, situata është shumë problematike dhe ekonomia rrezikon të futet edhe më shumë në spiralen e një krize inflacioni që varfëron shqiptarët dhe rrit edhe më shumë çmimet. Një krizë që është në agimin e saj dhe që po varfëron Shqipërinë për të pasuruar vetëm pakicën për të cilën punon kjo qeveri.
Fatura reale e pagave është akoma e paqartë aahtj si dhe burimet që do ta mbulojnë nga buxheti! Pushtetit vendor i është thënë qe duhet të rrisë pagat pa i rritur transfertën në kushtet kur të paktën 11 bashki janë me të dhëna financiare në falimentim e të tjera kanë rritur stafin në përmasa të manaxhueshme si Tirana!
A mundet një herë të vetme të fokusohemi te reformat reale që e ndihmojnë tregun, rrisin konkurencën, mbajnë profesionistët në Shqipëri dhe mendojmë në afatgjatë, jo për sot?!", shprehet deputetja demokrate Jorida Tabaku.