Refuzoi milionat e ndërtimit për diplomacinë/ Turdiu: U dashurova me këtë profesion dhe vendosa të qëndroj në shërbimin e jashtëm

Refuzoi milionat e ndërtimit për diplomacinë/ Turdiu: U dashurova

Një rrëfim i rrallë ka dalë në dritë së fundmi, në emisionin “Drejt” “Ora News”, Diplomati, Gazmend Turdiu,zbuloi prapaskenat e një karriere diplomatike që nisi krejt rastësisht.

Një ish-pedagog i katedrës së mekanikës së ndërtimit ka ndarë detaje të padëgjuara rreth rrugëtimit të tij nga një inxhinier në një diplomat karriere. Gjithçka nisi me një emërim politik në Vjenë, të cilin ai dhe bashkëshortja e tij, në atë kohë mësuese fizike, e shihnin thjesht si një shërbim të përkohshëm ndaj vendit. Çifti, i cili ishte martuar vetëm dy javë para nisjes në detyrë, planifikonte t'i kthehej jetës së mëparshme profesionale pas përfundimit të këtij misioni. Megjithatë, fati kishte rezervuar të tjera plane.

Pasioni i papritur për diplomacinë bëri që planet të ndryshonin rrënjësisht. Pika kulminante e kësaj historie ndodhi në vitin 1997. Pas kthimit në atdhe, atij iu ofrua një mundësi e artë nga një prej kompanive më prestigjioze të ndërtimit në vend, ku njëri prej bashkëpronarëve kishte qenë madje bashkëstudent me të. Oferta nuk përfshinte vetëm shuma të majme parash, por edhe prestigj dhe mundësinë për të punuar me cilësi të lartë ndërtimi.

Në mënyrë surprizuese, ish-pedagogu vendosi t'i thoshte "jo" kësaj mundësie të jashtëzakonshme. Me mbështetjen e plotë të bashkëshortes, ai zgjodhi të qëndronte përfundimisht në shërbimin e jashtëm, duke transformuar statusin e tij nga një i emëruar politik në një diplomat të mirëfilltë. Kjo zgjedhje dëshmon se si pasioni për një profesion të ri mund të triumfojë edhe mbi ofertat më tunduese.

"Sinqerisht bashkë me time shoqe ne ishim të fejuar në atë kohë, jemi martuar dy javë para se unë të nisesha në detyrë, pastaj nja tre javë më vonë u bashkua në Vjenë me mua. Të dy bashkë me time shoqe e konsideruam si një shërbim që duhet bërë. Me idenë që të mbarojmë punë dhe do të kthehemi prap në fushat tona profesionale, unë inxhinier, ajo mësuese e fizikës.

Puna është se u dashurova me këtë profesion. Pata dhe mirëkuptimin maksimal të time shoqe dhe kur jemi kthyer në 97-ën, edhe pse me të vërtetë pata një ofertë të mrekullueshme nga një nga këto kompanitë sot shumë të dëgjuara të ndërtimit, jo vetëm për para por për emër, për cilësi ndërtimi, dhe që një nga bashkëpronarët kishim qenë dhe bashkëstudentë, i thashë jo dhe vendosa të qëndroj në shërbimin e jashtëm.

Pra u ktheva nga i emëruar politik që ishte mandati im i parë në diplomat karriere.

Po isha i punësuar,punësimi im profesional në atë kohë ishte në katedrën e mekanikës ndërtimit në universitet."-u shpreh ai.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTE

EMISIONET