Jodie Foster befason me deklaratën për "F1": Dukej si një film i krijuar nga inteligjenca artificiale!

Jodie Foster ka habitur me deklaratat e saj për një nga filmat më të suksesshëm të vitit, duke thënë se superproduksioni “F1”, me Brad Pitt në rolin kryesor, i la përshtypjen e një filmi të krijuar nga inteligjenca artificiale.
Fituesja e dy çmimeve Oscar bëri komentet gjatë panelit “Who Owns the Future of Hollywood?” në Festivalin Aspen Ideas, ku diskutoi për ndikimin që teknologjia dhe inteligjenca artificiale po kanë në industrinë e filmit.
Nuk e them me përçmim. Si mund ta bëja? Filmi fitoi qindra miliona dollarë. Por kur shoh ‘F1’, më duket sikur është bërë nga inteligjenca artificiale-tha Foster me humor, duke shkaktuar reagime në sallë.Aktorja shpjegoi se nuk po kritikonte suksesin e filmit, por mënyrën se si ishte ndërtuar.
Sikur ndiqte një formulë të programuar. Struktura ishte pikërisht ajo që të mësojnë në shkollë. Dialogët tingëllonin tamam si ato që një kompjuter do të shkruante si ‘versioni perfekt’ për atë moment. Megjithatë, ata e përdorën teknologjinë për të krijuar diçka të madhe dhe vizualisht të bukur, u shpreh ajo.
Komentet e Foster vijnë pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm të “F1”, i cili arkëtoi rreth 634 milionë dollarë në arkat botërore, u nominua për katër çmime Oscar, përfshirë kategorinë “Filmi më i Mirë”, dhe fitoi statujën për “Zërin më të Mirë”.
Gjatë diskutimit me ish-drejtorin ekzekutiv të Sony Pictures, Michael Lynton, Foster foli gjerësisht edhe për të ardhmen e Hollivudit në epokën e inteligjencës artificiale.
Sipas saj, AI është transformimi më i madh që ka përjetuar industria që nga ardhja e efekteve CGI dhe teknologjisë dixhitale.
Ajo paralajmëroi se përdorimi i inteligjencës artificiale tashmë po prek vendet e punës në kinema, veçanërisht për aktorët figurantë.
Sot studiot mund të kopjojnë aktorët në sfond dhe të shmangin punësimin e qindra figurantëve. Shpresoj që sindikatat të vendosin rregulla të qarta: nëse përdorni imazhin e një aktori 20 herë, atëherë duhet ta paguani 20 herë. Mendoj se kjo është e drejtë, deklaroi Foster.
Megjithatë, ajo nuk e sheh inteligjencën artificiale vetëm si një kërcënim. Sipas saj, teknologjia mund të jetë një mjet i vlefshëm për fazat paraprake të prodhimit, si krijimi i vizualizimeve të skenave apo planifikimi i projekteve.
Nëse arrijmë ta kontrollojmë dhe ta përdorim me zgjuarsi, inteligjenca artificiale mund të na ndihmojë të krijojmë histori që pasqyrojnë më mirë njerëzit dhe ta bëjmë kinemanë edhe më të mirë-përfundoi aktorja.

