"14 Maji", Rama pas mbledhjes së Kryesisë flet për rritje pagash e pensionesh: I kemi gati kandidatët
Kryeministri njëherësh dhe kryetar i Partisë Socialiste Edi Rama ka mbledhur kryesinë e PS-së ku në fokus ishin zgjedhjet e 14 majit.
Në përfundim të saj, Rama tha se është një nevojë kombëtare rritja e pagave dhe pensioneve.
“Kemi diskutuar për listat për këshilltarët dhe nga ana tjetër përtej këtij aspekti është dhe aspekti programatik i fushatës, specifikave të zonave të ndryshme si dhe përmbajtja thelbësore në rrafshin kombëtar në një moment kur përtej të gjitha vështirësive që kemi hasur dhe përtej kontekstit aspak të jashtëzakonshëm të ekonomisë si rezultat i luftës, i shtrëngimeve në mbarë Europën jemi duke ecur mirë.
Kemi bërë një hap të rëndësishëm për rritjen e pagës për mjekët specialistë që më në fund duke filluar nga muaji prill do të shpërblehen sipas pagave të larta të rajonit. Jemi barazuar me Serbinë në pagë, jemi mbi Kosovën dhe në një mesatare të lartë. Po bëjmë një ligj të ri për një tërësi profesionesh dhe detyrash në shërbimin publik që kanë të bëjnë me aftësi të veçanta, duke filluar nga aftësitë dixhitale, në kushtet kur duhet të forcojmë mbrojtjen kibernetike, duhet të ofrojmë paga konkurruese në treg.
Procesi i integrimit kërkon një rritje të numrit të shkruesve të drafteve ligjore dhe për këtë kemi nevojë të rrisim pagat, deri te agronomë dhe profesione të tjera që do të bëjnë që të ketë më shumë interes nga profesionistët. Nga ana tjetër me ligjin për tatimin për të ardhurat personale heqim tatimin për pagat deri 50 mijë lekë të reja”, tha Rama.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë që politika të ndezë zyrtarisht motorrët e fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Rama tha se pak a shumë edhe kandidatët janë gati, ku sqaroi se një pjesë e tyre janë aktualisht në detyrë, ndersa tha se zyrtarizimi do të bëhet para se të regjistrohen kandidatët në KQZ.
“Pak a shumë po. Aty ku faktikisht ka pasur dakordësi dhe si të thuash sinkronizmin rreth kandidatëve të caktuar që janë aktualisht kryetar bashkie, ka vazhduar procesi. Zyrtarizimi do bëhet para se kandidatët të regjistrohen zyrtarisht. Jemi në linja të përgjithshme, e dimë se cila do jetë skuadra jonë.”, tha Rama.
Teksa u pyet se cilët janë kryebashkiakët më të mirë dhe ata më të keq, Rama u përgjigj:
“S’mund t’i ndajmë kështu. Siç ka mbetur aty në mur, në lumin e Vlorës, do bëjmë një memorandum tjetër. Do ju japim rezultatin. Mendojmë që do fitojmë shumë bindshëm, po për hir të së vërtetës dua të jem i drejtpërdrejt, fitorja kur ke përballë kundërshtarë të tillë në aspektin aritmetik është minimumi. Të hysh në fushë me kundërshtarë që nuk janë në lartësinë e duhur nuk është e vështirë të fitosh. Çështja është të shkosh përtej fitores aritmetike.”.
Kujtojmë se kryesocialistit Rama ka pasur shumë takime më parë mes dhe drejtuesve politikë të qarqeve, ndërsa i fundit ishte më 25 janar.