Rama nis fushatën për fitoren e tetë të PS-së në nëntë palë zgjedhje: S'ka postera, mbjellim pemë
Partia Socialiste hapi jo zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 majit duke zbuluar edhe posterin e fushatës, "Vetëm përpara, kurrë më mbrapa". Gjatë fjalës para 61 kandidatëve, Rama theksoi se në vitin 2023 PS do të shënojë fitoren e tetë në nëntë palë zgjedhje. Ai theksoi se qytetet që kanë votuar Partinë Demokratike kanë njohur vetëm rrënim.
"Vetëm përpara, kurrë më mbrapa!" Ky do të jetë slogani i Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në hapjen jo zyrtare të fushatës, pas mbledhjes së Kryesisë, kryeministri Edi Rama bëri parashikimin e tij për rezultatin.
"Kur Pandi të jetë President Nderi i PS, ne të tjerët të jemi në Sharrë, dhe fëmijët e fëmijëve tanë të jenë rreth tryezës që Pandi do të drejtojë në ato ngjarjet solemne të përvjetoreve do të thotë që në vitin 2023 PS fitoi për të 8 herë nga 9 palë zgjedhje".
Gjatë fjalës së tij para kandidatëve socialistë për 61 bashkitë, Rama sulmoi bastionet e djathta.
"Zgjedhjet kanë shumë rëndësi për një vend, sesa çfarë gabimisht mendojnë shumë prej zgjedhësve duke mos dhënë votën, sa shumë punë nuk do ishin bërë pa votën e PS, dhe sa shumë dëme do ishin shmangur pa votën e PD. Ltë dalë dikush dhe të na tregojë një bashki të vetme në harkun e 30 viteve, ku vota për ata të tjerët ka sjellë ndryshim dhe përparim. Më besoni, kam kërkuar me mend jo një herë dhe nuk e gjej asnjë. Është i njëjti avaz si në Shkodër, kudo tjetër ku vota ka shkuar në drejtim tjetër. Shikoni Lezhën sot dhe imagjinojeni larg qoftë nesër Lezhën me po ata që sot janë ku e ku më keq nga çfarë ishin dje.
Rama vuri në dukje se kjo do të jetë një fushatë ndryshe, pa postera, por me mbjellje pemësh.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek reformat e ndërmarra nga Partia Socialiste ku nuk la pa evidentuar nismën e fundit për rritjen e rrogave, jo vetëm për administratën por edhe pagën minimale për bizneset.