Rama nga Gjirokastra: Libohova, e djathtë, bastion i papastërtisë, Shkodra e verbuar
Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në Gjirokastër, ndërsa nuk i ka kursyer ironitë për opozitën.
Gjatë fjalës së tij para socialistëve të pranishëm në takim, kreu i qeverisë u ndal te bashkitë që drejtohen nga e djathta, ku përmendi Libohovën dhe Shkodrën.
Ai tha se Libohova ka qenë simboli i papastërtisë, ndërsa Shkodra i verbërisë. Mes të tjerash ai i bëri thirrje demokratëve që të ‘kalojnë gardhin’ dhe të votojnë PS-së.
“Çfarë përbuzjesh pati nga ata që kërkojnë sot votën, që nuk duhet të kenë asnjë shans, jo sot por asnjëherë.
Po bëjmë fushatë krejt ndrydhe nga të tjerët, me shumë më pak shpenzime për propagandën elektorale dhe një pjesë e shpenzimeve shkojnë për të mbjellë pemë.
Më vjen mirë që në fund të kësaj fushate do të ngelen pemë. Kemi bërë rritjen të pagave, e cila sot ka nisur konkretisht. Nga prilli, deri në prillin e ardhshëm paga e mesatare do të jetë 900 euro, për të fuqizuar ekonominë.
Ambicia jonë është paga minimale 60 mijë lekë. Është koha e një kapërcimi të gardhit edhe për ata që janë mësuar të qëndrojnë në anën tjetër të gardhit, në emër të ndarjeve ideologjike, PS-PD.
Nuk ka ‘ne-ata’ për të garantuar një fshat më të mirë apo për qytet kur bëhet fjala për vendin ku jetojmë. S’kemi pasur mundësi të drejtojmë Libohovën, ka qenë bastion i djathë.
Bastion i djathtë do të thotë bastion i papastërtisë, i dembelizmit, i një klani, bastion ku plehrat rrinë dy-tre ditë, apo ku s’dihet ku shkojnë paratë.
Shikoni Shkodrën, që në 20 e ca vite është e verbuar (bastion i djathtë). Shikojeni se sa e papastër është.”, tha Edi Rama.