Rama kërkon mandat të katërt për Tërmet Peçin: Kalaja e Tepelenës motor ekonomik, do gëlojnë turistët
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Tepelenë ku kërkoi mbështetjen e qytetarëve për kryebashkiakun aktual Tërmet Peçin. Gjatë fjalës së tij, Rama premtoi investime të reja ndërsa akuzoi dhe dyshen Berisha-Meta se kanë abuzuar gjatë qeverisjes.
Investimet e reja do ta kthejnë kalanë e Tepelenës në një motor ekonomik për banorët.
Ky ishte premtimi i kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi në qytetin jugor, ku kërkoi votat për një mandat të katërt për Tërmet Peçin.
"Kalaja do të jetë jo më më kantier por një motor tjetër ekonomik për Tepelenën. Aty brenda do të ketë shërbime, hoteleri të vogël, aty brenda do gëlojë nga turistët."
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri ironizoi dhe kundërshtarët.
Sipas Ramës, dyshja Berisha-Meta do të japin llogari përpara ligjit për abuzimet që ata kanë kryer gjatë kohës kur ishin në mazhorancë.
"Nga balta dhe nga errësira e atij çifti që ka dalë vërdallë sot, Salikja quhet ai çift. Salike non grata nuk ka shans më për t'ua dhënë shqiptarët, asgjë nuk mund tu japin më shqiptarët, ata duhet tu japin llogari shqiptarëve para drejtësisë për të gjithë ato borxhe që u kanë shqiptarëve nga borxhet e gjakut në bulevard deri te borxhet e Hidrocentraleve të grabitura."
Turi i vizitave të Ramës do të vijojë edhe në qytetin e Gjirokastrës dhe Sarandës.