Rama hesht për “McGonigal”, socialistët marrin direktivat nga Balla si do sillen kur të nisin përplasjet në Kuvend
Në mungesë të një sqarimi publik nga ana e kryeministrit Edi Rama lidhur me skandalin e dosjes ruse që po hetihet nga FBI, e cila kulmoi me arrestimin e mikut të Ramës, ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal, deputetët e PS-ja kanë marrë udhëzimet nga kryetari e grupit Taulant Balla se si të shmangin përplasjen me opozitën në Kuvend.
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, Balla i ka udhëzuar ligjvënësit e tij që të ndjekin të njëjtin skenar me atë të seancës së kaluar, ku për 10 minuta në Kuvend u votuan mbi 10 projektligje të parashikuara në rendin e ditës, pa iu nënshtruar asnjë debati për to.
“Në seancë plenare, në rast bllokimi nga PD, do të përsëritet i njëjti qëndrim i PS. Do të votojnë rendin e dites pavarësisht qëndrimit bllokues të opozitës”- mësohet t’i ketë thënë Balla deputetëve socialistë në mbledhjen e mbajtur me dyer të mbyllura dhe pa praninë e gazetarëve.
Më herët, Partia e Lirisë përmes nënkryetarit të saj, Petrit Vasili, reagoi sot sërish për çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles Mc Gonigal, i arrestuar tashmë, në dosjen e të cilit rezulton të jetë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në një reagim në rrjetet sociale, Vasili thekson se McGonigal ka dy procese të hapura në New York dhe Washigton D.C, ndërsa thekson se në total mbi të rëndojnë plot 14 akuza.