“Probleme me rekrutimet dhe nxjerrje të sekreteve”, BKH i përgjigjet Gazment Bardhit: Dyshim keqdashës dhe i pabazuar

“Probleme me rekrutimet dhe nxjerrje të sekreteve”, BKH i

Byroja Kombëtare e Hetimit i është përgjigjur akuzave të artikuluara nga deputeti demokrat Gazment Bardhi në seancën e fundit plenare, teksa akuzoi Byronë për probleme me rekrutimet dhe nxjrrje të sekreteve hetimore.

Përmes një deklarate për mediat, BKH thotë se rekrutimi në këtë sektor duke filluar që nga Drejtori i BKH-së, kalon në disa faza të detajuara, të mirëpërcaktuara nga një Komision i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, dhe dy Prokuror të Posaçëm, si dhe është monitoruar në çdo fazë nga një Komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale të caktuar nga misionet e SHBA -së dhe BE-së.

Po ashtu ajo sqaron se parashikimet ligjore nuk i japin të drejtë Drejtorit të BKH-së të njihet, marrë apo të kërkojë informacion mbi hetime, kur nuk është vetë i përfshirë në kryerjen e veprimeve si hetues.

REAGIMI I BKH-së

Në seancën plenare të Parlamentit të Shqipërisë, datë 20.07.2023, Deputeti i Partisë Demokratike Z . Gazmend Bardhi gjatë fjalës së tij ka përmendur Drejtorinë e Byrosë Kombëtare të Hetimit duke aluduar mbi procesin e rekrutimit të saj dhe nxjerrjen e sekretit gjatë kryerjes së detyrës.

Byroja Kombëtare e Hetimit vlerëson të bëjë me dije :

Procesi i rekrutimit të gjithë punonjësve, në zbatim të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar, duke filluar që nga Drejtori i BKH-së, kalon në disa faza të detajuara, të mirëpërcaktuara nga një Komision i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, dhe dy Prokuror të Posaçëm, si dhe është monitoruar në çdo fazë nga një Komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale të caktuar nga misionet e SHBA -së dhe BE-së.

Byroja Kombëtare e Hetimit gjatë kryerjes së detyrës udhëhiqet nga misioni për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, në mënyrë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, me kryefjalë ”ruajtjen e sekretit për çdo veprim që kryen “, në bazë të ligjeve në fuqi.

Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit i ka të parashikuara në ligj shumë qartë detyrat funksionale përsa i përket pjesës hetimore dhe asaj administrative e organizative. Parashikimet ligjore nuk i japin të drejtë Drejtorit të BKH-së të njihet, marrë apo të kërkojë informacion mbi hetime, kur nuk është vetë i përfshirë në kryerjen e veprimeve si hetues.

Byroja Kombëtare e Hetimit si një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore që heton veprat penale në juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme, nga fillimi i funksionimit të saj ka treguar integritet, paanshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim në përmbushjen e misionit të saj, kjo e shprehur edhe me rezultatet e deritanishme.

Garantojmë opinionin publik se çdo dyshim keqdashës i pabazuar që cënon imazhin e institucionit nga cilido dhe kudo, nuk do të na pengojë dhe as do të ndikoj në përmbushjen e detyrimeve tona ligjore.

EMISIONET