Pse u përgjysmuan urbanët në Tiranë? Memaj: Nuk paguajmë dot detyrimet, jemi në pamundësi financiare

Përfaqësuesi i Shoqatës së Transportit Publik Dashnor Memaj në një intervistë për “Ora News” sqaroi arsyet e vendimit drastik të operatorëve të linjave urbane në kryeqytet për uljen e numrin të mjeteve në shërbim të qytetarëve.

Ai foli mbi vështirësitë ekonomike me të cilat po përballet sektori, ndërsa tha se ata kërkojnë rimbursimin e çmimit të biletës, ose marrjen e këtij shërbimi në menaxhim të bashkisë, ku operatorët të paguhen përmes një formule në bazë të kilometrave që ata bëjnë.

Sa i takon rritjes së çmimit të biletës, operatorët u shprehën se kjo nuk është në dorën e tyre.

Memaj foli dhe për problematikën e mungesës së fuqisë punëtore, sipas të cilëve bëhet e pamundur rritja e pagave për shoferët, edhe pse kanë përgjegjësinë e jetëve të qytetarëve.

“Ne paguajmë taksë qarkullimi, akcizë, në biletën që kushton 40 lekë ne i paguajmë të gjitha, qoftë detyrimet ndaj shtetit, qoftë rrogat e punëtorëve.

Mungesa e stafit të punës është bërë një shqetësim i madh, po shkëmbejnë punëtorë, me rritje rrogash.

Nëse ne do të nxjerrim flotën e plotë në terren, ne nuk kemi mundësi për t’i furnizuar me karburant ato.

Që nga pandemia dhe deri tani që flasim ne nuk kemi asnjë plan konkret dhe ndihmë konkrete nga institucionet.

Ne nuk kemi mundësi financiare që t’i nxjerrim mjetet në punë, dhe tani që është stina e verës dhe numri i qytetarëve është më i pakët që lëvizin.

Shumica e operatorëve janë me llogari të bllokuara, për shkak të detyrimeve ndaj shtetit, por edhe ndaj bankave. Shumë prej kompanive përballen me largime të shumta të punonjësve.

Ka pasur sot autobusë në qytet, por jo në nivelin që duhet. Pra kemi një transport të reduaktuar edhe për shkak se qytetarët në këto ditë të nxehta nuk preferojnë urbanët”, u shpreh Memaj.

Ndërkaq ai parashtroi dhe kërkesat e Transportit Publik për zgjidhjen e kësaj situate.

“Sektori ka nevojë për më shumë se 1500 personatë punësuar, më e ndjeshme është mungesa e shoferave.

Në momentin që flasim nuk ju plotësojmë dot kushtet, shoferët duhet të paguhen të paktën 90 mijë lekë, por operatorët e kanë të pamundur këtë.

Kërkesat tona janë bazike, që bëjnë të mundur vijueshmërinë e sektorit, kemi kërkuar rimbursimin e individëve që përfitojnë transport falas, dhe operatorët nuk kanë marrë asnjë pesëlekësh për këto kategori.

Dhe ajo që kërkojmë ne është që të kemi një indeksim të çmimit të biletës nga shteti.

Aq mundësi sa operatorët kanë të paguajnë qoftë hidrokarburet, qoftë shërbimet e nevojshme që mjetet kanë për të bërë.

Shumica e operatorëve janë me llogari të bllokuara, për shkak të detyrimeve ndaj shtetit, por edhe ndaj bankave. Duhet gjetur një zgjidhje që të mos cenohen qytetarët.

Ne kemi kërkuar vazhdimisht takime me institucionet përgjegjëse dhe nuk kemi marrë një përgjigje.

Operatorët nuk kanë të drejtë për të kërkuar rritjen e çmimit të biletës, kjo bëhet vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak, Bashkia mund të rimbursojë biletën aktuale, ata duhet të marrin një vendim.

Në rast se nuk do të ketë reagim, mjetet do të jenë në reduktim e sipër dita ditës”, theksoi përfaqësuesi i Shoqatës së Transportit Publik Dashnor Memaj.

sonila musai dashnor memaj urbanë

EMISIONET