PL: Projektvendimi i fundit i qeverisë, hapi i radhës drejt zhvatjes së pronës private

Sekretara për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, deklaroi se projektvendimi i fundit i qeverisë Rilindase, është hapi i radhës drejt zhvatjes së pronës private me mjete shtetërore.

"Edi Rama, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku, si grup i strukturuar kriminal, do të grabisin me audite fiktive pronat private të qytetarëve shqiptarë.

Një projektvendim i ri, që duket se ka dalë nga sirtarët e atyre që zbatojnë me devotshmëri axhendën e shpopullimit të Shqipërisë, parashikon se godinat më të vjetra se 50 vite do të prishen me vendimin e grupeve të auditimit, që caktohen nga njësitë e qeverisjes vendore, pra do të jenë vetë bashkitë që do të caktojnë grupet e auditit, për vlerësimin e rriskut të këtyre ndërtesave.

Pra, ajo që po ndodh është shumë e thjeshtë:

1. Erion Veliaj dhe Edi Rama i vendosin syrin një zone të caktuar në Tiranë; e cila është sipërfaqe e mirë për të ndërtuar një kompleks ose kullë;

2. Rastis që aty të jetë një ndërtesë e vjetër, mbi 50 vite, të cilën banorët sigurisht nuk e lëshojnë kollaj;

3. Erion Veliaj dhe Edi Rama, caktojnë vetë, në rrethin e miqve dhe klientëve të tyre se kush do të jetë grupi ose kompania që do të testojë apo auditojë teknikisht ndërtesën;

4. Grupi auditues i grabitjes vendos që restaurimi i godinës do të kushtojë më shtrenjtë se ndërtimi i saj, prandaj duhet shembur;

5. Ky vendim do të miratohet me firmën dhe vulën e Institutit të Ndërtimit e kështu do t’i hapet rruga prishjes së mbi 96.000 godinave në të gjithë Shqipërinë, të cilat sigurisht që do të zëvendësohen nga kullat e komplekset e ndërtuesve të preferuar të Erion Veliajt e Edi Ramës.

Të gjithë duhet të kemi diçka në konsideratë: godinat që kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar, janë pikërisht godinat që ndodhen të lokalizuara në zonat më të shtrenjta të Tiranës, si Tirana e Re, Xhamlliku, Selvia, Shkolla e Baletit etj, pra brenda unazës së vogël të Tiranës. E njëjta gjë ndodh edhe në bashkitë kryesore të vendit.

Kjo do të thotë më shumë lekë të fituara për Edi Ramën, Erion Veliajn e klientët e tyre. Por, ajo që mbetet më shqetësuesja në këtë projekt djallëzor, është mungesa e informacionit se çfarë do të ndodhë me truallin e godinës apo me banorët, pronarë të apartamenteve.

Ky terr informativ ka vetëm një qëllim: vjedhjen dhe grabitjen e pronës së shqiptarëve, njësoj siç bënë me pronat e qytetarëve që u dëmtuan nga tërmeti.

Nuk është çudi që ky grup i strukturuar kriminal, t’i fusë rruspën edhe ndërtesave të mbrojtura nga UNESCO, meqë janë të vjetra dhe fatura e restaurimit të tyre është e lartë.

Çudira të tilla vetëm në Shqipëri mund të dëgjosh; kur e gjithë bota ruan trashëgiminë e saj kulturore dhe historike për qindra, mijëra vjet, rilindasit duan të zhdukin çdo gjurmë shqiptarie.

Ky projekt është i paralajmëruar nga opozita, ka disa vite tashmë dhe po aq I mirënjohur është edhe niveli i hajdutërisë së Rilindjes, i cili nuk njeh kufij.

Prona private duhet të jetë kufiri i fundit për këtë qeveri hajdutësh: më 3 mars duhet që secili nga ne të jetë në shesh edhe për këtë projektligj kriminal, antikushtetues e antikombëtar.

Më 3 Mars, shqiptarët duhet të jenë të gjithë në shesh për të mbrojtur një nga gjërat më të shtrenjta që njeriu ka pas jetës e familjes, pronën private, shtëpinë e tij", deklaroi Silva Caka.

edi rama erion veliaj partia e lirisë silva caka ndërtesat vendimi i qeverise shembja

EMISIONET