Lobimi me McGonigal, Berisha: Komisioni hetimor ndaj Ramës, detyrim kushtetues. Janë gjobitur biznesmenë
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit deklaroi se kryeministri Edi Rama foli dhe iku si hije, sepse ka kryer krime shumë të rënda.
“Shqiptarët e panë se këtu, pak kohë më parë, personi që i lëshoi karrigen McGonigalit, foli si kufomë e pakallur. Foli kështu dhe iku si hije sepse ka kryer krime shumë të rënda. sepse, siç thotë e respektuara ‘Ëashington Post’, që ai në një dalje televizive e quajti gazetën më serioze, McGonigal dhe Edi Rama ishin të zhytur gjer në grykë në veprimtari sekrete. Në veprimtari të paligjshme. Unë nuk kam fakte të zbërthej të gjithë veprimtarinë e tyre, kam besim se kjo gazetë ndër më autoritarët, ka informacion për llumin e McGonigal dhe Edvin McGonigalit. Doli këtu se mendoi se duke lexuar, sipas tij, aktakuzën, do mund të mashtronte shqiptarët.
Unë dua të informoj shqiptarët se ka dy dokumente zyrtare të drejtësisë së SHBA. Njëri daton në shtatorin e vitit që kaloi. Ai është një vendim gjykate, për të hetuar çdo gjë rreth Edi Ramës. Për të hetuar çdo telefonatë, çdo SMS, çdo email, çdo lloj komunikimi që ai ka pasur me cilindo në botë. Por, ky urdhër u përfshinë të gjithëve ju: të hetohen të gjithë ministrat e qeverisë dhe çdo njeri tjetër. Pra, jeni të gjithë të hetuar. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe çdo person i lidhur me të, përfshirë dhe jo kufizuar, kryeministrin e Shqipërisë. Pra, secili prej jush jeni nën hetim, ndaj më mirë mendoni se nuk do shpëtoni. E pamundur që ju në të gjithë ato komunikime, të mos keni kryer vepra të përbashkëta me Edi Ramën", u shpreh Berisha.
Në vijim, kryedemokrati duke iu referuar lobimi kundër opozitës, tha se Rama mashtroi, pasi gjykata amerikane nuk gënjen kurrë.
Në vijim. Berisha theksoi se Komisioni hetimor është detyrim kushtetues. Dhe këtu solli në vëmednje sërish kërcënimin që i është bërë biznesmenit Ylli Ndroqi, i cili, sipas tij, i ka denoncuar publikisht, dhe që kanë kërcënuar më pas Duçkat e tij.
“Edi Rama ka kryer së pari krimin e shëmtuar të rekrutimit me korrupsion të kryeagjentit. Më 9 shtator është takuar me McGonigal në zyrë. Kush ia solli? Duçka juaj. Gënjen ai. Po çfarë është Duçka? Ai është njeriu që Rama e ka pajisur me pasaportë diplomatike, është zëvendësministri i Ramës që shkruante artikuj kundër gjykimit të Hagës për detin e Kinës Jugore, Duçka është njeriu që organizonte sponsorizimin prej qindra e mijëra dollarësh të ekspozitës së Ramës në Hong Kong. Duçka është njeriu që solli McGonigal. A ishte agjent rus McGonigal, këtë e ndan drejtësia e vendit të tij. Por ai ishte tradhtar i vendit të tij. Edi Rama u miqësua aq shumë me të, sa kishte sekretin më të madh miqësinë me të, nuk e ndante as me shefin e shërbimeve, as me drejtorin e policisë, e ndante me Damianin, edhe me këto këtu...
Nuk është e vërtetë, thotë Edi Rama se nga zyra e kryeministrit u bë porosia për të hetuar lobimin e opozitës. Gjykata amerikane nuk gënjen. Ata disponojnë çdo gjë. Prandaj kryetari juaj është kufomë e pakallur politike. Të blejë sa të dojë deklarata, të ardhme nuk ka. Ne do e heqim atë, komisionin do e krijojmë. Komisioni është detyrim kushtetues. A e dini ju sa biznesmenë janë gjobitur? E ka denoncuar Ylli Ndroqi publikisht, e kanë kërcënuar më pas Duçkat e tij. Së fundmi, foli këto për shenjtorin Lou Bladel. Bladel e solli te Edi Rama, McGonigal. Sokol Balla shkruante për Bladel se po kryeson grupin e investigimit të dosjeve të opozitës. Ja, pra si e përdori Ernst and Young për të mashtruar për opozitën. Tani është koha e opozitës, opozita do transparencë. Asgjë nuk mund të na pengojë ne”, tha Berisha.