"Përshëndes vendimin për Llallën", Berisha: Nesër Rama s'duhet të hyjë në parlament. Më 3 mars, kemi vetëm një objektiv
Nga mbledhja e radhës me anëtarët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha përshëndeti vendimin e autoriteteve italiane ër dhënien e statusit të azilantit politik për ish-kryeprokurorin Adriatik Lalla.
"Dua të përshëndes autoritetet italiane, të cilat i dhanë azil politik, Adriatik Llallës, Prokurorit të Përgjithshëm. Unë nuk them se Llalla ishte një prokuror i fortë apo pa të meta, por shqiptarët duhet ta dinë se Adriatik Llalla u sanksionua sepse guxoi të denoncojë kompanitë e Sorosit dhe Rex Tillersonit. Kjo është e vërteta. Kjo është me dokumente. Kompani të cilat nuk respektonin ligjet e vendit. Dhe, sapo njoftoi Kongresin e SHBA për këto veprime, ai në mënyrë hakmarrëse, u shpall non-grata. Kjo është e vërteta.
Beteja e Donald Lu-së, publike ndaj prokurorit, unë nuk them se ishte pa të meta, por te prokurorët dhe gjykatësit, shteti duhet të ketë një sens se ata për shkak të detyrës, dënojnë njerëzit më të rrezikshëm të shoqërisë. Në këtë sens, nuk hidhen në rrugë, siç i hedh Edi Rama ata që nuk zbatojnë urdhrat.
Pse u dënua Llalla? I vunë nja dhjetë padi dhe përfunduan te rritja e vlerës së pronës. Ndaj dhe në këtë kontekst, u bëj thirrje autoriteteve italiane të ndërmarrin një hetim për rastin e Llallës. Të ndërmarrin një hetim të plotë se nuk është punë diskriminimi, siç shkruan vendimi, janë më të thella. Mund të shërbejë si kazus për të nxjerrë mësime shumë të vyera për Shqipërinë, për Italinë, për Europën dhe SHBA", u shpreh Berisha.
Nga selia e PD-së, Berisha bëri thirrje për protestë masive më 3 mars, ku siç tha ai, objektivi është vetëm një, Edi Rama.
"Së fundmi, u bëj thirrje shqiptarëve të programojnë të gjithë axhendën me datën 3 mars, do të jenë në Tiranë në një protestë epike për nga përmasat. Theksoj se protesta ka vetëm një objektiv: Edi Ramën, Edi Ramën, Edi Ramën. Nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me institucionet e tjera. Ne nuk bëjmë veprime në paragjykim.
PD e ka vendimin e gjykatës. Gjykimi është për të pranuar palë Alibashën. Nuk ka gjykatë, pse e bëri Blerina Muçi nën ndikimin e Edi Ramës dhe Yuri Kim, të tjerë nuk mund ta bëjnë një akt të tillë sepse përmbyset sistemi i drejtësisë nëse shpall palë atë që nuk ka qenë palë, ti hap rrugën e rrëzimit të çdo vendimi gjyqësor me urdhra politikë.
Objektivi ynë është Edi Rama, ky është një armik i egër që po bën gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij, pasi ka kryer vepra të tmerrshme, akte të pabesisë ekstreme ndaj SHBA, NATO-s, sigurisë së tyre, por edhe akte antikushtetuese ndaj demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri", theksoi kryedemokrati .
Lidhur me protestën e nesërme, Berisha theksoi se Rama nuk duhet të hyjë në parlament
"Nesër është një ditë prove, prove e fortë. Protesta është thirrur në ora 10, sepse në orën 10, RamGonigali hyn në parlament. A ka përdhosje më të madhe për atë parlament se hyrja e kryeministrit si RamGonigali?
Prandaj qytetarë, siç zhvilluam të hënën që kaloi një betejë të shkëlqyer brenda dhe jashtë parlamentit, i bëj thirrje cilitdo, që ka minimumin e mundësive, të lërë çdo gjë dhe të vijë nesër në orën 10 në protestë.
RamGonigali nuk duhet të hyjë në parlament. Edhe po hyri, duhet të mbetet nën presionin e tmerrshëm të revolucionit aty ku është, brenda parlamentit", theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha.