"Për dy gjëra prishem me Berishën!"/ Meta: Në Bulqizë, 1/3 e zyrtarëve shkoi pas hekurave. Bashkia Vorë ka falimentuar!

"Për dy gjëra prishem me Berishën!"/ Meta: Në

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta gjatë një takimi me kandidatët për Këshillin Bashkiak të forcës politike që drejton ka zbuluar se për cilat arsye mund të dështojë bashkëpunimi me Sali Berishën.

Sipas tij janë vetëm dy arsye, ku e para është bashkëpunimi me kryeministrin Rama, ndërsa shtoi se nuk mund të prishet për çështje kandidatësh apo pozicionesh, por vetëm për interesin kombëtar dhe Kushtetutën. Arsyeja e dytë e Metës është nëse Berisha do të tërhiqet nga firma e tij për referendumin, që sipas nuk tij do ndodhë pasi Berisha i shkon deri në fund marrëveshjeve dhe fjalës së dhënë.

“Ka fjalë do prishet Berisha me Metën, nuk jam prishur kurrë me njeri për gjëra të tilla si kandidatë apo ministri e pozicione. Për kushtetutën prishem unë, për interesin kombëtar jam prishur, për gjëra të tilla nuk prishem. Me Berishën prishem për dy gjëra, po bashkëpunoi me Edi Ramën, jo me PS-në, po me Ramën që ka mendjen të blejë e të korruptojë njerëz. Edhe nëse tërhiqet nga firma për referendumin, që ai nuk e bën se i qëndron marrëveshjeve dhe fjalës deri në fund. Kjo nuk është betejë për Metën e Berishën, por për shqiptarët. Koalicioni do jetë fitues sepse ka në qendër shqiptarët.

Vota e ndëshkimit do bëjë mrekullinë që presin qytetarët dhe shumë socialistë që ndihen të pafuqishëm sepse Rama i ka uzurpuar partinë dhe i ka nënshtruar me rilindasit e tij të korruptuar që i keni parë ku përfundojnë”, tha Meta.

Koalicioni

Gjatë fjalës së tij Meta u ndal te koalicioni i opozitës “Bashkë fitojmë” me grupin e Berishës dhe disa partive të tjera, ku u shpreh optimist. Ai u ndal dhe te arrestimi i kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla.

“Nuk është diçka e re koalicioni ynë me Partinë Demokratike sepse është një koalicion i firmosur prej disa muajsh. Ka të bëjë me transformimin e këshillave bashkiakë në parlamente të vërteta vendore ku do të flasin vetë qytetarët nga tribuna e këshillit të bashkisë për problemet që ata ndeshin. Për padrejtësinë që kanë ndeshur dhe do u jepet zgjedhje shqetësimeve të tyre dhe jo klientelës së kryebashkiakëve dhe qeverisë në largim. Gati 1/3 e bashkisë së Bulqizës u arrestua mbrëmë, por mos harroni se shumica nuk janë në detyrë. Disa prej tyre kanë përfunduar para drejtësisë, por edhe në kërkim, edhe me nga tre-katër emra.

Shembulli skandaloz është bashkia e Vorës. Dhe ka falimentuar. Bashkia e Vorës ku ka më shumë biznese, se çdo vend tjetër i Shqipërisë. Në vendndodhjen strategjike për shërbime, pranë aeroportit dhe Durrësit. Imagjino të falimentosh bashkinë e Kavajës, e sa bashki të tjera. Dua të theksoj se zgjidhja që bëmë dje për të mos rrezikuar në çdo rast regjistrimin e kandidatëve tanë dhe të opozitës së bashkuar dhe të vërtetë në zgjedhjet e 14 majit, që janë zgjedhur përmes proceseve legjitime, na obligoi që të bënim këto zgjidhje. Fuqia e bashkimit dhe e votës, për këto shpërdorime, gjithçka tjetër që vjen pas do jetë e rëndësishme që të hedhim themelet e një pushteti vendor. Ne jemi të vendosur, sipas edhe një plani hungarez, që ka dhënë zgjidhje.”, tha Meta.

Po ashtu, Ilir Meta, ka reaguar edhe në lidhje me një artikull të publikuar ditën e djeshme, ku thuhej se deputetja e PL Monika Kryemadhi kishte marrë disa pagesa nga oligarkë rusë të lidhur me presidentin Vladimir Putin.

Ai tha se të tilla akuza janë qesharake dhe se artikuj të tillë janë të financuar nga paratë e korrupsionit dhe të inceneratorëve, ku me këto para financoheshin edhe shpifjet e propaganda e mediaplaneve në vend.

“Ishte marrë edhe dje FinancialTimes me këta, kishin paguar një artikull që Monika kishte marrë pagesa nga oligarkë të lidhur me Putinin. Janë qesharake dhe fake. Por këto i bëjnë me lekët e inceneratorëve, me to bëhen mediaplaneve në Shqipëri.

Të gjitha shpifjet dhe ato që propagandohen janë me lekët e inceneratorëve dhe korrupsionit”, tha Meta.

zgjedhjet e 14 majit zgjedhjet vendore zgjedhjet ilir meta sali berisha edi rama

EMISIONET