Peqin/ Hapet qendra e re për fëmijët me aftësi të veçanta, Koçiu: Standarde europiane dhe mbështetje e shtuar

ZëvendësKryeministrja Albana Koçiu ka vizituar nga afër ambientet e reja të spitalit të Peqinit, një investim i Qeverisë Shqiptare dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili po transformohet në një Qendër Ekselence Terapeutike dhe Rehabilituese për fëmijët me aftësi të veçanta nga 0 deri në 18 vjeç.
ZëvendësKryeministrja Koçiu u shpreh se fëmijët me nevoja të veçanta, që deri dje udhëtonin larg për t’u trajtuar, do të kenë pranë shtëpisë së tyre një qendër model, me standarde europiane dhe me një ekip të plotë profesionistësh që punojnë së bashku për një qëllim: mirëqenien e fëmijës.
“Paralelisht me këtë investim, po dyfishojmë pagesën mujore për rreth 11 mijë fëmijë me nevoja të veçanta dhe për herë të parë 14 mijë kujdestarë, prindër dhe familjarë që i kanë kushtuar jetën kujdesit të përditshëm do t’u njihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”, sqaron Koçiu.
Ky vendim vjen pas miratimit të Aktit Normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave për buxhetin 2026 me në fokus më shumë mbështetje, investime dhe zhvillim për qytetarët.


