Paralajmërimi i Harxhit: Bllokim të jetës shoqërore e politike deri në dorëheqjen e Ramës, me 24 shkurt presim lajme nga SHBA
Partia Demokratike ka njoftuar sot policinë vendore Tiranë për mbajtjen e protestës të shtunën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në orën 12:00.
Edit Harxhi, anëtare e Kryesisë, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma foli për një bllokim të jetës politike dhe shoqërore të Shqipërisë deri në largimin e Ramës.
Harxhi: Do të jetë një protestë pa fund, në materialin që i kemi dërguar policisë së Tiranës për ta njoftuar për protestën kemi njoftuar se është një protestë pa orar. Protesta do të vazhdojë me ditë të tëra, nuk do të jetë vetëm kjo protestë, do të ketë protesta të tjera. Do të ketë një bllokim të jetës politike, shoqërore në Shqipëri në ditët e ardhshme deri kur Edi Rama të japë dorëheqjen. Ai duhet të dorëhiqet një orë e më parë dhe ti dorëzohet drejtësisë shqiptare në radhë të parë dhe asaj amerikane. Shpresoj që në atë moment SPAK do të dijë të reagojë.
Ikja e Ramës sipas saj është vetëm çështje kohe, ndërsa beteja e opozitës nuk do të ndalet as në parlament, përkundër përjashtimit të deputetëve dhe mospranimit të interpelancës për "McGonigal".
Harxhi: Parlamenti i qytetarëve do të vazhdojë, PD me ata të cilët ka do të jenë brenda. Populli opozitar do të jetë jashtë selisë së parlamentit sa herë që Edi Rama të mundohet të reagojë si kryeministër deri ditën që do të pushojë së reaguari si kryeministër dhe do të japë dorëheqjen. Edi Rama është i ikur, i djegur i pa kallur. Është një skandal shumë i madh diplomatik dhe nuk do të ketë lider europian që do ti hapë telefonin kryeministrit aktual të Shqipërisë. Është një kryeministër në ikje dhe është vetëm çështje kohe para se ai të largohet.
Ajo tha se kryeministri Rama është në hetim në SHBA për aferën e tij me ish-zyrtarin e FBI-së dhe nuk mund ta mohojë një gjë të tillë.
Harxhi: Ne presim datën 24 shkurt. Do të jetë gjykimi i Uashingtonit që është për aferën e ish-zyrtarit të FBI-së me Edi Ramën. McGonigal gjykohet për lidhjet e ngushta me kryeministrin e Shqipërisë si dhe për marrjen e 225 mijë dollarëve nga personi A që është në SHBA dhe lobimin që ka bërë personi B. Në datë 24 do kemi lajme të tjera më interesante.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.