Paloka: Alibeaj po bën lojë të shpifur. Ftesa e tij hipokrizi, ishte kundër Primareve. Jemi në bisedime për koalicionin
Deputeti Edi Paloka ka deklaruar se ftesa e Alibeajt drejtuar të kandidatëve të Primarëve që të futen në zgjedhjet e 14 majit me logon e PD-së, është pjesë e lojës së kryeministrit Edi Rama.
Gjithashtu ai ka theksuar se në këtë mënyrë synon të shkatërrojë PD dhe opozitën shqiptare. Paloka ka theksuar se e gjitha është pjesë e hipokrizisë pasi vetë Alibeaj nuk i njihte Primaret.
“Vulën ua jep Rama. Tani papritur kërkojnë bashkëpunim me PD-në. Berisha e tha dhe më parë, nëse duam të bashkëpunojmë me Ramën e bëjmë vetë, jo nëpërmjet Alibeajt. Kjo është thjesht një lojë e shpifur. Sa për sqarim publik, këto që sot flasin nuk e bëjnë për bashkëpunim.
Vulën e duan prej Ramës, votuesit prej Berishës. Ne kemi bërë bisedime përpara se të hynim në procesin e Primareve, por këta nuk pranuan, sepse nuk njihnin Primaret. Është hipokrizi. E gjithë ajo që ndodhi në Gjykatën e Apelit, tentuan të lënë jashtë loje në zgjedhje Partinë Demokratike.
Basha rezulton ende kryetar, nxjerrin dhe dokumenta të falsifikuara. Si e paska parashikuar Basha që Alibeaj do bëhej kryetar? Kjo do jetë shfaqja që do vazhdojnë të japin”, u shpreh ligjvënësi demokrat.
Paloka komentoi gjithashtu edhe bisedimet me aletaët për përfaqësimin e opozitës në këto zgjedhje.
“Po bisedojmë me disa parti për koalicionin. PL dhe Partia e të Drejtave të Njeriut, janë dy kryesoret. Do gjejmë dhe formulën më optimale për t’u futur në koalcion. Por bisedimet janë me të gjithë aleatët dhe partitë opozitare”, shprehet Edi Paloka.