Osmani: 110 mln eurot e ndihmave për tërmetin ua kemi kompensuar me 260 mjekë në Gjermani dhe BE
Kreu i partisë “Atdheu”, Kreshnik Osmani, i ftuar në "Ora e Betit" tha se 18 mijë shqiptarë që janë duke studiuar në Shqipëri, gati 80% nuk duan të qëndrojnë më në vend.
Ai madje ironizoi se 110 mln eurot e ndihmave që na kanë dhënë për tërmetin ua kemi kthyer me 260 mjekë që i kemi çuar në Gjermani dhe vendet e BE.
Osmani: Një raport i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik thotë se 18 mijë shqiptarë, numri i të rinjve shqiptarë që nuk duan të qëndrojnë më në Shqipëri nga ata që janë duke studiuar në Shqipëri është gati 80%. Kemi një sasi të frikshme studentësh shqiptarë, të cilët familjet shqiptare i përcjellin në Gjermani, BE, Angli apo SHBA me një kosto totale prej 8 mijë eurosh në vit për student. Janë 140 mln euro që dalin nga xhepat e prindërve shqiptarë për studimin e fëmijëve të tyre që nuk do kthehen më kurrë në Shqipëri.
Deri para 10 viteve studentët e mjekësisë që kualifikoheshin për të bërë një specializim pas studimeve të mjekësisë kishin një kërkesë që ishte kalimi i mesatare 8.5 nota, sot do të jenë mjekët e rinj me mesatare 5, do të na kuptojnë dhe merren me shëndetin tonë. Me çdo 100 mjekë i japim BE 39 milion euro. 110 mln eurot e ndihmave që na dhanë për tërmetin ua kemi dhënë me 260 mjekë që i kemi çuar në Gjermani dhe vendet e BE.

