Ambasadori i BE-së për “Ora News”: Përplasjet ndikojnë tek anëtarësimi. Të krijohen kushtet për normalitet

Me mesazhin se tensionet në parlament do të ndikojnë në procesin e integrimit, ambasadori i Bashkimit Evropian kërkon që palët të kthejnë parlamentin në normalitet. Sipas tij opozita duhet t’i rikthehet diskutimeve normale të ligjeve, por edhe duhet të krijohen kushtet që kjo të ndodhë.  Për “Ora News” ai shprehet se kuvendi është vendi ku deputetët duhet të dëgjojnë njëri tjetrin dhe ku nismat të miratohen në formën e duhur

Tensionet në Kuvend dhe miratimi i ligjeve pa u debatuar dhe diskutuar do të rëndojnë në procesin e integrimit.

Ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato shpreh shqetësimin e tij për këtë situatë.

Përmes mikrofonit të “Ora News” ai kërkon që jeta në Kuvend t’i kthehet normalitetit

Ambasadori Silvio Gonzato: “Siç mund ta shikoni nuk është një situatë ideale dhe ky është mesazhi që ne vijojmë të dërgojmë. Dhe për procesin e anëtarësimit, parlamenti duhet të punojë normalisht. Aty ku njerëzit e dëgjojnë njëri-tjetrin, diskutojnë dhe sigurohen që vendimet të merren në formën e duhur kaq mund të themi.”

Ligjet që kalojnë vetëm me votat e mazhorancës për ambasadorin e BE-së mbeten legjitime, por jo ideale.

Për këtë kërkon që opozita të bëhet pjesë e diskutimeve, por edhe krijimin e kushteve për ta.

Ambasadori Silvio Gonzato: “Mendoj se vendimet janë të rëndësishme, sigurisht të marra në mënyrë sovrane nga Shqipëria. Por nuk është ideale nëse opozita nuk përfshihet ose nuk përfshin veten. Duhet të krijojmë kushtet që kjo gjë të ndodhë.”

Në nëntor diplomatët e akredituar në Tiranë shprehën shqetësimin për tensionet në parlament dhe kërkuan dialog për normalizimin e situatës.

Ambasada e SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermane dhe ajo e Italisë theksuan se palët duhet të gjejnë rrugën e përbashkët për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve.

Por prej asaj kohe asgjë nuk ka ndryshuar, ndërsa ligjet diskutohen në komisione online e miratohen në seanca që nuk zgjasin më shumë se 15 minuta.

mola luku ambasadori i be silvio gonzato gonzato

EMISIONET