"Nuk i pëlqen partneri që u martua politikisht", Gjiknuri: Berisha duhet të krenohet me emrin e Ilir Metës në fletën e votimit

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor ankimimin kundër vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, i cili vendosi në fletën e votimit emrin e Ilir Metës.

Gjithashtu KAS, të hënën, nuk pranoi kërkesën e Partisë së Lirisë, si parti udhëheqëse, që përbri koalicionit të vendosej në fletë emri i deputetit Sali Berisha si drejtues i koalicionit ”Bashkë Fitojmë”.  

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, e ironizoi këtë betejë ligjore të opozitës.

"PD e ka ankimuar. Nuk e kuptoj pse fshihen nga emrat kur martesa është publike, e fsheh partneri partneren. Ata duhet të krenohen me emrin e Ilir Metës në fletën e votimit, nuk e di pse mërziten ata të Foltores. Ligji e ka përcaktuar që partia udhëheqëse e koalicionit dhe detyrimet ligjore i përmbush ajo. Nuk të pëlqen partneri që u martove politikisht këtë nuk e shpjegoj dot".

Deklaratat Gjiknuri i bëri pas takimit në selinë rozë me shefen e OSBE-ODHIR, Audrey Glover.

"Janë të interesuar për ndekjen dhe mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore. Ishte një mision i marrjes së opinioneve lidhur me çështje që ata i konsiderojnë të rëndësishme për fushatën që lidhen me financimin, qetësia,  mbarëvajtja e fushatës, aksesi i palëve në sistemin juridik shqiptar, aksesi në media".

Ai tha se nuk pati asnjë mesazh të veçantë për mazhorancën.

"Nuk kishte asnjë mesazh të veçantë, janë të interesuar të dëgjojnë të gjithë pikëpamjet e partive për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore".

Opinionet paraprake tha se i kanë pozitive.

"Nuk paraqitën ndonjë shqetësim. Fushata ka qenë e qetë përgjithësisht. Patëm pyetje në lidhje me vendimmarrjen e KQZ, listën e zgjedhësve. Por lista e zgjedhësve është metodologji e dakordësuar nga KQZ, e bërë nga KQZ me dakordësine e gjithë palëve politike për të mos u ndarë familjet dhe për ti patur zgjedhësit në një godinë".

Gjiknuri nuk preferoi të japë një koment lidhur me takimin e Glover me Berishën por konfirmoi se është fakt që ai garon në këto zgjedhje.

"Se komentoj fare, nuk më intereson. Ata janë këtu për të biseduar më të gjithë palët që garojnë, e dimë që Meta dhe Berisha garojnë së bashku, nuk e mohojmë. Martesa e tyre është martesa e re me personazhe të vjetra që po u del shqiptarëve si ofertë politike. Janë ata që vendosin por besoj se shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre tashmë".

Pastërtia e figurës së kandidatëve ka qenë një nga shqetësimet e ODIHR. Qerim Ismailaj i PS-së është kontestuar nga PD, por Gjiknuri tha se Glover nuk e preku këtë temë në takim.

"Nuk e preku këtë temë dhe kjo temë është nën shqyrtim të organeve ligjore shqiptare, ligji është në veprim. Palët ankohen, organet japin vendimet e tyre".

Një koment pati edhe për ngjarjet kriminale në nisje të fushatës, shpërthimin në Vaun e Dejës dhe vrasjen në Shëngjin.

"Nuk e di që këto të jenë të motivuara politikisht apo të kenë lidhje me politikën. Do të ishte spekulim që ti vinim etiketime politike ngjarjeve kriminale. Shpresojmë që ngjarjet të zbardhen edhe për të hequr çdo spekulim të kësaj natyre".

zgjedhjet e 14 majit fushata zgjedhore

EMISIONET