Nuk deklaroi dënimin, kryebashkiaku i Kuçovës: S'kam pasur dijeni por sërish nuk pengon kandidimin tim
Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ka reaguar pas lajmit të publikuar nga Ora News se nuk ka deklaruar dënimin nga drejtësia greke për akuzën e “Kalimit të Paligjshëm të Kufirit”.
Në një postim në facebook, ai thotë se kjo është hera e parë që mëson për ekzistencën e një vendimit të tillë për të cilin do të interesohet zyrtarisht mbi vërtetësinë e tij.
Ai pranon se është ndaluar dhe kthyer mbrapsht në kufi porse nuk ka pasur dijeni për veprimet që ka ndërmarrë më pas në mungesë drejtësia greke ndaj tij.
"Nuk kam pasur asnjë dijeni për veprimet që ka ndërmarrë më pas në mungesë drejtësia greke ndaj meje. E megjithatë edhe sikur të kisha pasur dijeni, masa qortuese që ka dhënë gjykata e Janinës nuk ka qenë e detyrueshme nga unë për tu deklaruar si vendim administrativ. Gjë që përcaktohet shumë qartë në formularin e Ligjit për Dekriminalizimin, më konkretisht pika 7. Thënë këto, kjo nuk është aspak penalizuese për kandidimin tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Bashkinë Kuçovë. Pra, s'ka asnjë pengesë ligjore".
Megjithatë ai thotë se është i hapur për çdo verifikim nga agjencitë ligjzbatuese por ndërkohë do të vijojë fushatën elektorale për të fituar mandatin e dytë.