Vuçiç paralajmëron dorëheqjen, Spahiu: Pushteti i tij është në lëkundje, protestat po e dobësojnë seriozisht!

Në kulmin e protestave që prej më shumë se një viti po tronditin Serbinë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përballet me një sfidë gjithnjë e më të madhe politike.

Profesori i çështjeve ndërkombëtare, Nexhmedin Spahiu, i ftuar në “Ora News”, vlerësoi se presioni i vazhdueshëm qytetar po ndikon ndjeshëm në lëkundjen e pushtetit të Vuçiçit, duke hapur diskutime edhe për të ardhmen e tij politike.

Sipas Spahiut, protestat e gjata kanë treguar se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve serbë nuk e mbështesin më presidentin aktual. Ai theksoi se, ndonëse Vuçiç gëzon kompetenca të mëdha kushtetuese dhe mban njëkohësisht drejtimin e partisë në pushtet, mbetet e paqartë se kush mund ta pasojë atë në postin e presidentit.

Profesori kujtoi edhe rrugëtimin politik të Vuçiçit, duke nënvizuar se ai u ngrit politikisht nën mentorimin e Vojisllav Sheshelit dhe më pas, së bashku me Tomislav Nikoliçin, krijoi një forcë të re politike.

Megjithatë, sipas Spahiut, Vuçiç më vonë u distancua si nga Shesheli ashtu edhe nga Nikoliçi, për të marrë vetë kontrollin e plotë të partisë dhe presidencës.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Spahiu tha se është ende herët për të spekuluar mbi emrin e pasardhësit të mundshëm të Vuçiçit, pasi kandidati i Partisë Përparimtare Serbe pritet të bëhet i ditur vetëm kur të shpallen zyrtarisht zgjedhjet presidenciale.

Në përmbyllje, ai theksoi se shkalla reale e mbështetjes apo kundërshtimit ndaj Vuçiçit do të mund të matet vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke shtuar se korrektësia e procesit zgjedhor do të jetë vendimtare për të ardhmen politike të Serbisë.

Nexhmedin Spahiu: Të dyjat, është domethënë, në vitet e para një lloj nënshtrimi nga protestat, dhe një tentim për t'u mbajtur në pushtet akoma pas gjithë presionit të cilët kanë ushtruar protestat tani më po hyjnë në vitin e dytë të tyre. Po, por kjo tregon që pushteti i tij po lëkundet, meqënëse presidenti i Serbisë ka kompetenca jashtëzakonisht të mëdha,  ai mund të jetë edhe kryetar partie. Për dallim në Kosovë që presidenti nuk mund të jetë kryetar partie, me Kushtetutë ata janë... në Serbi mund të vazhdojë, mund të jesh kryetar partie dhe të jesh president.

Dhe tani, problemi është që ai që do të zgjidhet president, a mund të jetë besnik i tij apo jo? Tani e kemi në karrierën e tij politike, Vuçiç është ngritur në krahët e Vojisllav Sheshel, dhe pastaj së bashku me zëvendësin e Sheshelit, Tomislav Nikoliç, tradhtuan Sheshelin dhe atëherë Nikoliç u bë president ndërsa Vuçiç kryeministër.

Në momentin që Vuçiç i mori partinë, tani jo vetëm Sheshelit që ishte në Hagë, po dhe Nikoliçit që ishte në postin e presidentit, atëherë filloi... domethënë i ktheu shpinën edhe Nikoliçit, përveçse Sheshelit, dhe pastaj u bë vetë edhe president, edhe kryetar partie. Tash të shohim, domethënë se ai i cili do të mund ta trashëgonte në pozitën e presidentit, a do t'i kthejë shpinën Vuçiçit apo jo.

Jo, problemi është se mund të ketë spekulime, por besoj që emri, emri do të dihet tek kur të shpallen zgjedhjet dhe kur të jenë kandidatët për president, dhe kush do të kandidojë nga, nga radhët e Partisë Përparimtarëve që është  partia e presidentit Vuçiç dhe atëherë mund ta dimë edhe se kush është kandidati për president.

Dhe deri atëherë besoj që Vuçiç nuk ka ndonjë bashkëpunëtor të afërt, i cili mund të thuhet se ky ose ai do të jetë, do të jetë pasardhësi i tij në këtë post. Ai ka një farë lloj ekuidistance me shumë nga bashkëpunëtorët e tij, se mbi kë do të bjerë zari është e vështirë të qëllohet. Domethënë natyrisht ky zar është në kokën e Vuçiçit, dhe ai akoma nuk ka vendosur. Mund të vendosë tek ndoshta në momentin e fundit.

.Tani shiko, është në natyrën e politikës kur një lider politik ka shumë vota, domethënë ka shumë përkrahje, njëkohësisht ai fillon merr edhe shumë urrejtje. Kjo është thjesht në natyrën e gjërave në politikë. Dhe është e vështirë të dihet kjo kur të merret parasysh që zgjedhjet në Serbi vazhdimisht kanë qenë të manipuluara nga partia në pushtet.

Dhe sa është përkrahja për të, sa është urrejtja, kjo është e vështirë e matshme. Por protestat të cilat janë zhvilluar në Beograd dhe në qytetet e tjera të Serbisë kanë treguar se ka një masë jashtëzakonisht të madhe të qytetarëve të Serbisë që nuk e duan atë për president, nuk e duan pushtetin e tij. Dhe tash kjo se si do të shprehet, manifestohet në zgjedhje, do të varet nga korrektësiqa e zgjedhjeve që do të mbahen.

EMISIONET