Më shumë votues, më pak qendra/ Shkodra bëhet gati për zgjedhje, në të gjithë territorin 246 qendra votimesh
Kur na ndajnë më pak se 50 ditë nga zgjedhjet lokale, tanimë përgatitja ka nisur për ditën kur qytetarët do të zgjedhin drejtuesit e rinj të bashkive. Në Shkodër këtë vit është vërejtur një numër më i lartë votuesish sesa në zgjedhjet e 2022, ndërsa janë 3 qendra votimi më pak. Zyrtarët lokalë thanë se ulja e numrit të QV-ve ndodh për shkak se këto qendra nuk e përmbushin numrin 300 të votuesve që duhet të ketë një Qendër Votimi sipas Kodit Zgjedhor.
Shkodra do të ketë në 14 Maj më shumë zgjedhës, por më pak qendra votimi.
Nga të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për drejtuesin e ri vendor në Shkodër kanë të drejtë vote 170 mijë shtetas, që këtë herë do t’i drejtohen 247 qendrave të votimit, 3 më pak se në zgjedhjet e fundit.
Ditmir Kraja, nënpunës ndërlidhës: “Në total ka 170.375 votues, qendrat e votimit janë 247 nga 250 që kanë qenë në muajin mars të vitit 2022. Ka reduktim në tri qendra, si pasojë e reduktimit nën kufirin minimal dhe për rrjedhojë janë bërë bashkime dhe ndarje të tyre në qendrat e tjera më të afërta në zonat gjeografike të tyre”.
Bashkia Shkodër ka lajmëruar rreth 15% e popullatës mbi emrin në lista dhe qendrën përkatëse, ndërsa janë bërë afishimet e listave.
Ditmir Kraja: “Deri në fund të marsit do të mbyllet si procedurë njoftimi i të gjithë zgjedhësve të territorit të Bashkisë Shkodër”.
I pyetur për qendrat e votimit në zonat e Dukagjinit ku vitin e shkuar kishte disa problematika, këtë vit, duke qenë se zgjedhjet janë në maj mendohet që rruga të jetë e zhbllokuar dhe të mos ketë problematika për të ushtruar të drejtën e votës!