“McGonigal”, Berisha: Nisim revoltat. Tirana do të jetë në rrugë dhe qytetet do jenë në Tiranë
"Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje!"
Këtë deklaratë, Sali Berisha, e bëri vetëm pak minuta pasi Flamur Noka dorëzoi në KQZ listën e anëtarëve të Komisioneve Zgjedhore, veprim të cilin pritet ta bëjë edhe Enkelejd Alibeaj.
Do të jetë KQZ që do të vendosë se cila nga grupimet do të njihet, por kryetari i demokratëve shprehet i bindur në largimin e Kryeministrit.
Por ndërsa e ka të qartë formën e reagimit, ende nuk është saktësuar data e nisjes së protestës.
Berisha: Një protestë e qëndrueshme deri në rrëzimin e Edi Ramës. Tirana po zien! Një revoltë e thellë ka përfshirë dhe po përfshin qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë, një revoltë e cila padyshim do të shpërthejë, me fuqinë më të madhe politike dhe qytetare, për largimin me urgjencë nga skena politike, de fakto kryeministrit më të korruptuar të planetit, i cili ja ka mbathur, është zhdukur prej 48 orësh.
Akuzat më konkrete ndaj McGonigal janë në dosjen shqiptare.Çdo shqiptar e ka të qartë se ky kryeministër është turpi, ëshët faqja e zezë e këtij vendi dhe do mbetet i tillë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.Ndaj siç kam deklaruar, përsëris edhe njëherë vendosmërinë e PD për të udhëhequr revolucionin demokratik dhe përmbysjen e këtij regjimi me një lëvizje të fuqishme popullore të paparë ndonjëherë në Shqipëri.
PD do të krijojë komision hetimor parlamentar me qëllimin e bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e SHBA për zbardhjen në çdo detaj të kësaj afere që ka tronditur SHBA, NATO-n dhe gjithë botën e lirë. PD po mbledh dhe do dërgojë të gjithë informacionin se në shkelje flagrante të sanksioneve ndaj mikut të tij, oligarkut të Putinit, Deripaska ka vazhduar aktivitetin i pashqetësuar për katër vite që nga momenti i vendosjes së sanksioneve, nga viti 2018 deri në vitin 2022, i paturbuar. Me lobimin apo jo të Charles McGonigal këtë duhet ta sqarojë drejtësia e SHBA. Por ne jemi të vendosur të japim kontributin tonë. Tirana do të jetë në rrugë dhe qytetet do jenë në Tiranë.
Në tubim fton të gjithë demokratët dhe qytetarët, por përjashton vetëm dy.
Berisha: Nuk ekziston grupi i Enkelejd Alibeaj, ekziston Enkelejdi si Ali-Bashë.
Në konferencë Berisha theksoi edhe një herë rolin e ish-zyrtarit të FBI-së Mc Gonigal, por shtoi dhe një tjetër ish-agjent që e akuzon se është përdorur nga Edi Rama.
Berisha: Lou Bladel i kontraktuar nga Edi Rama për veprimtari me pamje të parë policinë, por në fakt kundër opozitës, qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe çdo personi të lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë.Imagjinoni se çfarë çerdheje, çfarë votre korruptive e konsideron gjykata amerikane qeverinë e Shqipërisë, çdo personi të lidhur me qeverinë këtu, përfshi këtu dhe jo vetëm kryeministrin Edi Rama.
Për shpalljen "non grata" Berisha nuk akuzon agjentët e FBI, por gishtin e drejton te ambasadorja amerikane në Tiranë.
Berisha: Faktoj se është edhe Yuri Kim, e cila ka gënjyer në mënyrë të padenjë qeverinë e vet.
Edhe një herë ai iu rikthye deklaratave se PD ka marrë financime ruse, duke kërkuar nga Lulzim Basha të flasë për të vërtetën, ai zbuloi se mbështetësve të PD-së në Amerikë u është kërkuar të firmosin fiktivisht.