Mbyllet procesi zgjedhor, Begaj: Të pranishmit në procesin e numërimit të kryejnë detyrën me përgjegjësi
Presidenti i vendit Bajram Begaj në një komunikatë pas mbylljes së procesit zgjedhor u ka bërë thirrje të gjithë të përfshirëve në procesin e numërimit të kryejnë detyrën me përpikmëri.
"Falenderoj të gjithë shqiptarët të cilët votuan sot me përgjegjësi e dinjitet, duke përmbushur kështu një të drejtë kushtetuese, por edhe një detyrim moral e qytetar ndaj vendit.
Në këtë moment të fillimit të numërimit të votave, si dhe të nxjerrjes së rezultateve, ju bëj thirrje të gjithë të përfshirëve në këtë proces që të kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi, ndershmëri e profesionalizëm, duke siguruar e garantuar vullnetin e shprehur me votë të qytetarëve shqiptarë.
Votuesit shqiptarë folën!
Është koha që vota e tyre të numërohet drejt dhe pa vonesë," tha ai.