Shehaj përjashtohet 60 ditë nga Kuvendi, Manja: Do të ketë edhe referim në Prokurori

Sekretari i Këshillit të Etikës në Kuvend, Ulsi Manja, ka reaguar pas vendimit për përjashtimin me 60 ditë të deputetit Agron Shehaj, duke deklaruar se masa disiplinore lidhet me nxjerrjen jashtë sallës së Kuvendit të dokumentit sekret të marrëveshjes.

Manja tha se dokumenti është marrë nga Shehaj dhe është nxjerrë jashtë sallës “Gerti Bogdani”, edhe pse sipas tij, kryetari i Kuvendit kishte përcaktuar që marrëveshja do të lexohej brenda ambienteve të kësaj salle.

“E patë të gjithë publikisht. E mori dokumentin, e nxori jashtë sallës ‘Gerti Bogdani’, por përsëri brenda mjediseve të Kuvendit. Deklarimi publik i kryetarit të Kuvendit ishte që kjo marrëveshje do lexohet në sallën ‘Gerti Bogdani’”, tha Manja.

Ai komentoi edhe incidentin e ndodhur gjatë përplasjes në Kuvend, duke uruar shërim për punonjësen e administratës që u dëmtua.

“Uroj punonjësen tonë, këshilltaren tonë që u lëndua nga ky veprim, shërim sa më të shpejtë. Sinqerisht uroj që kjo të mos ndodhë më dhe të jetë rasti i parë dhe i fundit ku shkelet kjo vijë respekti”, u shpreh Manja.

Sipas tij, elementët e mundshëm të një vepre penale nuk janë kompetencë e Këshillit të Etikës, por i takojnë organeve të hetimit.

“Në dijeninë time do të ketë një referim të kallëzimit ndaj deputetit Agron Shehaj në organet e hetimit dhe të ndjekjes penale”, deklaroi Manja.

Ai sqaroi se masa e përjashtimit do të zbatohet me nisjen e sesionit parlamentar të vjeshtës, duke iu referuar rregullores së Kuvendit për llogaritjen e ditëve të përjashtimit gjatë periudhës kur Kuvendi nuk zhvillon veprimtari.

“Qëllimi nuk është të lihet zoti Shehaj më shumë kohë jashtë Parlamentit. Këtë e përcakton rregullorja e Kuvendit, e miratuar me konsensus nga 140 deputetët”, përfundoi Manja.

Ulsi Manja:E patë të gjithë publikisht. E mori dokumentin, e nxori jashtë sallës 'Gerti Bogdani', po përsëri brenda mjediseve të Kuvendit. Ama deklarimi publik i kryetarit të Kuvendit ishte që kjo marrëveshje do lexohet në sallën 'Gerti Bogdani'. Pastaj i keni parë të gjitha ato pamje, sepse ka një lidhje shkak-pasojë, të gjitha ato pamje të rënda, që mua s'më mbetet gjë tjetër vetëm se t'i uroj punonjëses tonë, këshilltares tonë që u lëndua nga ky veprim, shërim sa më të shpejtë dhe sinqerisht uroj që kjo të mos ndodhë më.

Të jetë rasti i parë dhe i fundit ku shkelet kjo vijë respekti, sepse në fund të fundit vërtet deputetët janë zgjedhur nga populli për të ushtruar funksionet e tyre, por çdo nëpunës publik i këtij shteti kryen dhe ai një detyrë ligjore që ia ka ngarkuar ligji. Elementët e veprës penale , elementët e veprës penale nuk janë në tagrin e këtij sekretariati. Ata i takojnë hetimit.

Në dijeninë time do të ketë një referim të kallëzimit ndaj deputetit Agron Shehaj në organet e hetimit dhe të ndjekjes penale. Dhe të gjithë elementët e tjerë që kanë të bëjnë me shkeljen e konfidencialitetit, me nxjerrjen e dokumentit jashtë asaj salle ku u përcaktua publikisht nga kryetari i Kuvendit për t'u lexuar, por edhe me veprimet që pasuan pastaj nxjerrjen e këtij dokumenti, i takon organit të hetimit që t'i zbardhë.

Sekretariati e konsideron të mbyllur punën me këtë masë disiplinore, e cila duhet theksuar që hyn në fuqi dhe do t'i shtrijë efektet e veta me rifillimin e sesionit parlamentar të vjeshtës. Sepse Kuvendi konsiderohet i mbyllur në periudhën e gushtit. Rregullorja, e Kuvendit,  po ka afatet e ankimit në byro dhe do të llogariten saktësisht ditët kur veprimtaria e Kuvendit është e mbyllur.

Atë ka, sekretariati do ta bëjë përllogaritjen.  Kur i fillon, jo nuk është qëllimi jonë. E ka rregullorja e Kuvendit e nderuar. Rregulloren e Kuvendit e kanë miratuar me konsensus 140 deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në seancat e pak më përparshme. Nuk e thotë sekretari i sekretariatit, e thotë rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, që është libri i rregullave të bashkëjetesës tonë në Kuvendin e Shqipërisë. Shumë faleminderit!

EMISIONET