Manastirliu: 80 laboratorë të shkencave do t’i shtohen këtë vit shkollave 9-vjeçare dhe të mesme
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të vendit po zhvillojnë orët e fizikës, kimisë dhe biologjisë në laboratorë të rinj me standardet më të mira evropiane.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vizitoi gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, ku ndoqi nga afër një orë mësimi në laboratorët e rinj ku nxënësit zhvillojnë lëndët e fizikës, kimisë dhe biologjisë duke kryer eksperimente praktike.
“Edhe 80 laboratorë të shkencave do t’i shtohen këtë vit infrastrukturës laboratorike në shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm për t’iu mundësuar nxënësve dhe mësuesve të zhvillojnë lëndët e fizikës, kimisë dhe biologjisë në kushte optimale”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi se “të mësuarit në praktikë ua bën mësimin shumë tërheqës. Ndaj ne si ministri planifikojmë buxhete përkatëse që shkollat t’i pajisim me të gjitha materialet e nevojshme për të realizuar aspektet laboratorike të lëndëve të shkencave”.
“Jemi duke plotësuar edhe më shumë bazën laboratorike të laboratorëve tanë në gjitha shkollat dhe fokusi është që t’i rrisim standardin dhe cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies përmes investimeve, sidomos në aspektin laboratorik”, tha Manastirliu, duke shtuar se puna në laborator nxit edhe më shumë interesin e nxënësve.
Investimi në laboratorët e rinj të shkencave me pajisje moderne për lëndët e kimisë, fizikës dhe biologjisë u jep nxënësve mundësi të hulumtojnë dhe t’i njohin lëndët në praktikë; të eksperimentojnë dhe të njihen me procese të ndryshme kimike, fizike e biologjike, tepër të domosdoshme si për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, edhe për gjimnazistët që përgatiten për të kaluar në sistemin universitar.
Këto investime i kompletojnë laboratorët me pajisje shkencore, mobilim laboratorik, mikroskopë dhe pajisje të tjera të posaçme, kite të ndryshme, modele ilustruese, aparate studimore, etj.