Lulzim Basha “i fshin të gjithë”, riformatimin e PD-së e nis me ... rikthimin e faqes në rrjetet sociale
Rikthimi i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike ka sjellë dhe rikthimin e faqes zyrtare të kësaj partie. Ndonëse më parë përdorej vetëm për postimet e disa prej deputetëve, tani më kjo faqe është në shërbim të kryetarit dhe anëtarësisë së tij. Ndërkaq grupimi i Sekretarit të Përgjithshëm preferojnë faqet e tyre personale.
Me rikthimin si kryetar, Lulzim Basha ka bërë një përditësim edhe të rrjeteve sociale të forcës më të madhe opozitare.
Kjo duket se ka qenë një nga hapat e para të ndërmarra të kryetarit të rikthyer, i cili më parë postonte aktivitetet e tij në facebookun personal.
Por me rimarrjen e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka “risjellë në jetë” dhe faqen zyrtare të Partisë Demokratike në rrjetet sociale, përkatësisht në “Facebook”.
Kjo faqe më parë përdorej nga anëtarët e grupimit zyrtar, si deputetja Jorida Tabaku, Kreshnik Çollaku apo edhe anëtarët e kryesisë. Ish-kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, ndryshe nga Basha preferonte të postonte në faqen e tij personale, ç’ka bëri që faqja zyrtare e PD-së të mos ishte aktive.
Por grupimi tjetër, i cili drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie Gazment Bardhi nuk është i përfshirë në postimet e kësaj faqeje.
Ky rikthim i faqes zyrtare të PD deri më tani duket se është në shërbim të kryetarit Lulzim Basha dhe deputetëve të tij mbështetës.