Konferencë në Kryeministri, protestë te Kuvendi/ Rama: Nuk flas për kundërshtarin në gjuhë të huaj apo në prani të të huajve

Ndërsa kryeministri Edi Rama mbante konferencë të përbashkët me kryeministrin e Shtetit të Lirë të Bavarisë Markus Söder, opozita protestonte jashtë Kuvendit në atë që e ka quajtur revolucioni demokratik.

I pyetur nga gazetarët sesi e sheh protestën që ka nisur prej të shtunës dhe  si i përgjigjet kërkesës për dorëheqjen e tij, ai dha këtë koment.

Rama: Ka shumë gjëra që nuk mjafton të duam ti bëjmë si Gjermania dhe do të na duhet shumë kohë të arrijmë ti bëjmë. Po ka edhe gjëra të tjera që mjafton të duam ti bëjmë siç i bëjnë gjermanët dhe mund ti bëjmë. Një nga gjërat më të bukura që bëjnë gjermanët është se kur flasin në gjuhë të huaj ose në prani të të huajve nuk merren me njëri-tjetrin. Kjo është një temë e brendshme, kryeministri ka ardhur këtu për marrëdhëniet me Shqipërinë që janë marrëdhënie historike.

Gjërat që flasim ne janë të interesit të përbashkët, se çfarë ka këtu brenda mes nesh nuk i takon kesaj konference. E kam thënë që në gjuhë të huaj apo në prani të miqve të huaj nuk flas kurrë për probleme të brendshme që i trajtojmë shqip me njëri-tjetrin. Se çfarë duhet të thotë pastaj kryeministri që vajta atje dhe ata po ziheshin me njëri-tjetrin? Jo. Jemi vend i lirë dhe demokratik, secili ka një qasje për revolucion.Unë me kryeministrin fola për revolucuionin dixhital, opozita ka një tjetër revolucion në mendje, është e drejta e saj.

Edhe Markus Söder u shpreh se e drejta e protestës është ajo çfarë ofron demokracia.

Söder: Kështu bëhet në demokraci, ëShtë gjithmonë dikush që e mendon ndryshe. Kjo është e drejta  dhe mundësia që ofron demokracia.

Vala e emigrimit drejt Gjermanisë edhe korrupsioni

Shefi i qeverisë shqiptare u pyet edhe për valën migratore të profesionistëve drejt Gjermanisë.

Rama: Rruga është e hapur, njerëzit janë të lirë. Nuk jemi në kohën e diktaturës. Edhe ne do të kemi trendin tonë të lëvizjes siç e kanë pasur të tjerët më parë dhe siç vazhdojnë ta kenë. Ardhja e kryeministrit është të eksploruar mundësinë që kompanitë bavareze të vijnë në Shqipëri.

Nuk kemi parë ndonjë vend në historinë e lëvizjeve migratore që të ketë pasur ndonjë çelës magjik për të mbyllur derën për njerëzit që kanë dashur të largohen në një fazë të caktuar historike. Këto janë faza historike që për ne vijnë më vonë. Ne kemi qene Koreja e Veriut të Europës. Nuk kemi vetëm largime por edhe kthimi që janë shembuj suksesi në biznes, zhvillimin rural.

Ramës ju tërhoq vëmendja nga një prej gazetarëve bavarezë edhe për korrupsionin, duke i kujtuar se Shqipëria renditet e 104 në indeksin e korrupsionit pas Tanzanisë.

Rama: Nuk dua të ndalem te anketat. Referojuni të vetmit burim që bazohet 100% në fakte dhe jo përceptime, që është KE, raporteve të progresit të Shqipërisë. Lufta kundër korrupsionit nuk është një luftë që është e shkurtër dhe as e thjeshtë, është luftë për modernizimin e vendit dhe sistemeve. Shqipëria sot nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë dje.

Söder: Shqipëria po bën përparime të mëdha dhe duhen vlerësuar. E mbështesim procesin, ka akoma më shumë për të bërë.

Kryeministri Rama dhe Kryeministri i Bavarisë firmosën një sërë marrëveshjesh të përbashkëta, qëllimi i së cilave është ngritja e mekanizmave të përshtatshme, të cilat do të identifikojnë dhe ndihmojnë në implementimin e projekteve konkrete në fusha të tilla si: energjia, infrastruktura, turizmi, tregtia, bujqësia, mjedisi, shëndetësia etj.

Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë, Markus Söder tha se do të hapet një zyrë kontakti me qëllim që të rritet bashkëpunimi për ata që duan të vijnë për punë në Gjermani.

Söder: Premtova të vij këtu sepse kemi të bëjmë me një lidhje historike mes 2 vendeve tona, kur Europa më e fortë me Ballkanin Perëndimor. Të bëjmë të mundur që Shqipëria që ka zhvilluar procese të rëndësishme të reformave të përshpejtojë ecurinë në BE. Ne ndajmë ndjenjat e vlerësimit dhe kemi shpresë se çfarë do të bëni se do të mbetemi të lidhur me njëri tjetrin, me marrëveshjet e sotme, do të vendosim në aplikim disa marrëveshje për drejtësinë, ekonomisë, teknologjinë, bujqësinë, bëhet fjalë për bashkëveprimin mes Parqeve tona kombëtare dhe një pikë tjetër është tema që ka të bëjë me arsimin, do të ngremë një shtëpi bavareze me kulturë bavareze, oferta e sotme mund të ishte fillimi për shumë ide të tjera. Do të hapim një zyrë kontakti këtu që do të rrisë bashkëpunimin, për ata që duan të vijnë në BE është që njerëzit nga Shqipëria të vijnë dhe të punojnë te ne, do keni mbështetjen tonë në rrugën drejt Europës.

Gjatë konferencës, Rama tha se Shqipëria do të përqendrohet në firmosjen e marrëveshjeve për lidhjen me universitetet mes dy vendeve.

Rama: Ne kemi folur me kryeministrin bavarez për atë që është prioritet dhe pas përpjekjeve të bëra është arritur që vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë në aleancën e universiteteve të BE. Ne do kërkojmë sa më shumë lidhje me universitetet dhe me programet që ato kanë. Kemi folur edhe për bursa për studentët shqiptarë në Bavari dhe kështu me radhë duke u rikthyer tek ajo që në dukje është diçka e vogël por është një kthesë shumë e rëndësishme, zyra e zhvillimit të sipërmarrjes Bavareze këtu në Shqipëri. Ka ardhur edhe përfaqësuesi i Bavarisë për të ofruar mundësi të investimit të sipërmarrjeve nga Bavaria dhe nga ana jonë ne do të lehtësojmë procedurat për firmosjen e marrëveshjeve të tilla.

edi rama protesta e opozites

EMISIONET