Kolegji Zgjedhor pushon padinë e Lefter Maliqit për rinumërim në Kuçovë

Kolegji Zgjedhor pushon padinë e Lefter Maliqit për rinumërim

Kolegji Zgjedhor ka vendosur sot të pushojë kërkesën e kandidatit për kryetar të bashkisë së Kuçovës në zgjedhjet e 14 majit, nga radhët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Lefter Maliqi.

Ish-deputeti Lefter Maliqi kishte kërkuar rrëzimin e vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për refuzimin e rihapjes së kutive, rivlerësimit e rinumërimit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në KAS. E njëjta padi ishte bërë edhe nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Kolegji i shqyrtoi në një çështje të vetme.

Çështja në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua nga trupa e gjykatësve e përbërë nga Maserla Dervishi, relatore, dhe me anëtarë Manjola Xhaxho, Blerona Hasa, Edlira Petri, Sokol Ibi.

Objekti i ankesës ishte shfuqizimi i vendimit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve për rrëzimin e ankimimit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) ndaj kërkesës për hapjen e kutive për rinumërim dhe rivlerësim të votave për KZAZ-në nr.64, të gjitha qendrave të votimit duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave.

Sipas Kolegjit Zgjedhor, pretendimet e ngritura në proces nga pala paditëse mund të shqyrtohen në gjykimin në themel të padisë për pavlefshmëri të zgjedhjeve.

EMISIONET