Kaso: I surprizuar nga vendimi i KAS, i lejoi vetes të komandojë kryetarin e Partisë Demokratike
Ivi Kaso, drejtuesi i Departamentit Ligjor në PD, në një intervistë për Ora News tha se është surprizuar nga vendimmarrja e sotme e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, i cili vendosi që Partia Demokratike, e përfaqësuar nga drejtuesi i deleguar i saj, Enkelejd Alibeaj, të regjistrohet në zgjedhjet vendore.
Kaso tha se KAS i lejoi vetes të "komandojë" kryetarin e Partisë Dermokratike.
Kaso: Sot ka pasur një vendimmarrje më në fund sa i takon çështjes se cili organ kishte të drejtën që të përfaqësonte PD përpara institucioneve zgjedhore për regjistrimin, duke vendosur njëkohësisht regjistrimin e PD, që për herë të parë që nga '90 rrezikonte të mbetej jashtë procesit zgjedhor.
Vendimmarrja e sotme e KAS ishte surprizuese jo sa i përket asaj që ishte parathënë se në një mënyrë apo tjetër PD do të regjistrohej në këtë proces zgjedhor, por mbi mënyrën si ai disponoi duke marrë tagrat të cilat nuk i takojnë institucioneve që monitorojnë dhe sigurohen të zbatojnë kodin zgjedhor sa i përket sjelljes së partive politike në zgjedhje. Sot KAS i lejoi vetes të "komandonte"kryetarin e PD, një akt i padëgjuar.
Pyetjes se sa e bazuar në ligj ishte kërkesa e grupimit të Berishës për tu regjistruar nën siglën e PD, ai u shpreh:
Kaso: Në raport me ligjin ishte shumë më i bazuar sesa vendimi që morën zot. Nëse Celibashi dhe KAS refuzuan të regjistrojë PD me kryetar Sali Berishën në bazë të akteve që vetë kjo parti kishte prodhuar përmes votës së më shumë se 40 mijë demokratëve dhe akteve të tjera të partisë që e emëronin Sali Berishën kryetar të partisë sot pa asnjë akt emërimi apo komandimi vendosën të komandojnë deputetin Alibeaj në pozicionin e kryetarit të komanduar të PD. Ky ishte paradoksi. Ajo që i kërkuam komisionerit ishte e bazuar jo vetëm në frymën e ligjit zgjedhor por i dhamë të gjithë dokumentacionin juridik të nevojshëm. Këtë do ta bëjmë edhe në Kolegjin Zgjedhor.
Kaso hodhi poshtë mundësinë që Celibashi të kthejë mbrapsht kërkesën për regjistrimin e koalicionit "Bashkë fitojmë", ku pjesë e partive është dhe PD.
Kaso: Jemi bërë pjesë e koalicionit me vetëdije duke pretenduar se përfaqësojmë Partinë Demokratike të Shqipërisë. Nuk ka asnjë lapsus. Besoj që komisioneri është i obliguar për të ndjekur atë që është germa e ligjit.