“Jep dorëheqjen sa nuk është vonë”/ Berisha i përgjigjet Ramës: Protesta nuk ndalet, do të realizojë plotësisht misionin e saj

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e opozitës.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi protestën e zhvilluar në Tiranë si një nga më të mëdhatë e viteve të fundit dhe tha se qytetarët dolën në shesh për të kërkuar largimin e kryeministrit.

“Dje Tirana njohu protestën më të fuqishme në tërë ekzistencën e saj. Mbase 200 mijë qytetarë vërshuan në sheshet dhe rrugët e saj në kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Duke iu referuar komentit të Ramës për ndikimin e protestës në turizëm, kreu i PD-së kundërshtoi këtë qëndrim dhe tha se problemet e turizmit nuk lidhen me protestat.

“Ai sot në monologun e tij u rrek përsëri të fajësojë protestën për turizmin. E vërteta është se armiku numër një i turizmit në Shqipëri sot për sot është Edi Rama”, tha Berisha.

Në videomesazhin e tij, ai foli edhe për pjesëmarrjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në protestë, duke argumentuar se ata vazhdojnë të ndjekin zhvillimet në Shqipëri dhe të angazhohen në jetën politike të vendit.

Berisha e mbylli reagimin duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe duke e cilësuar protestën si pjesë të një lëvizjeje që, sipas tij, do të vazhdojë edhe në vijim.

“Ky revolucion, kjo protestë, kjo lëvizje nuk ka të ndalur. Do të realizojë plotësisht misionin e saj”, u shpreh ai.

EMISIONET