Botërori starton në “Azteca”, Meksika godet Afrikën e Jugut që në minutat e para

Ka nisur në stadiumin “Azteca” ndeshja hapëse e Botërorit për Grupin A, mes Meksikës organizatore dhe Afrikës së Jugut.
Vetëm pak minuta pas fillimit të sfidës, Meksika ka kaluar në avantazh, ku në minutën e 9’ Quinomes ka shënuar golin e parë të turneut, duke ndëshkuar Afrikën e Jugut.
Takimi nisi pas ceremonisë hapëse që zgjati rreth 30 minuta, e ndjekur nga nxehja e skuadrave në fushë, përpara vërshëllimës së parë në stadiumin legjendar.
Meksika vjen në këtë Botëror me një formë shumë të mirë, duke qenë e pamposhtur në ndeshjet e fundit dhe me rezultate mbresëlënëse në përgatitje, përfshirë fitoren 5-1 ndaj Serbisë. Gjithashtu, ajo është kampione në fuqi e Ligës së CONCACAF dhe Kupës së Artë 2025.
Trajneri Javier Aguirre ka theksuar rëndësinë emocionale të këtij Botërori për vendin organizator, duke e cilësuar debutimin si një moment historik dhe duke kërkuar nga skuadra të luajë pa eufori dhe si një “familje”.
Në krahun tjetër, Afrika e Jugut kërkon të befasojë, me mesfushorin Teboho Mokoena që ka deklaruar se presioni është më i madh për Meksikën si vend organizator. Trajneri Hugo Broos ka pranuar se grupi është mjaft i vështirë për skuadrën e tij.
Në Grupin A bëjnë pjesë gjithashtu Republika Çeke dhe Koreja e Jugut, të cilat do të përballen më vonë në orarin lokal të Meksikës.


