Ikën Lame, Bici në krye të Kadastrës, Rama: Ritëm tjetër që garanton stabilitet të pronës. Luftë korrupsionit

Kryeministri, Edi Rama, ka prezantuar sot në krye të Kadastrës drejtuesen e re Dallëndyshe Bici. Në konferencën për mediat, Rama paralajmëroi se do të ngrihet në Task-Forcë brenda Kadastrës për të gjithë punonjësit që abuzojnë me pozicionin e tyre. Rama gjithashtu tha se do punohet që shërbimet e Kadastrës të kalojnë online.

Kryeministri,Edi Rama, ka prezantuar sot në krye të Kadastrës drejtuesen e re Dallëndyshe Bici, ndërsa i pranishëm ishte edhe ish-drejtuesi Artan Lame.

Kreu i qeverisë tha se është koha për një frymë të re dhe paralajmëroi se do të ngrihet në Task-Forcë brenda Kadastrës për të gjithë punonjësit që abuzojnë me pozicionin e tyre.

“Është bërë një reformë integruese e Hipotekës dhe ALUIZNI-t dhe pa asnjë diskutim rezultatet janë të dukshme dhe të prekshme. Krahasimi me pikënisjen është si dita me natën. Por sot është koha për një shtysë të re dhe për të hyrë në një fazë përmbyllëse, me një ritëm tjetër të këtij procesi, i cili në fund duhet të garantojë stabilitet të plotë të pronës, marrëdhënies me pronën dhe marrëdhënies mes qytetarëve dhe shtetit në aspektin e pronës”, deklaroi Rama.

Për kreun e qeverisë synim është që të mbyllen të gjitha rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe Kadastrës dhe kjo sipas tij do të arrihet në bashkëpunim me AKSHI-in.

Ndërsa për drejtuesen e re, kryeministri u shpreh se në fokus të punës do të jetë shpejtësia pa alibira.

“Duhet patjetër të merren masa serioze lidhur me bishtat e të keqes në institucion, korrupsionit, që janë të kudondodhur në Kadastër, në të gjithë territorin. Drejtorja e re një nga detyrat që ka, është të merret me një Task forcë të brendshme për të çuar aty ku duhet e ku e kanë vendin punonjësit që kanë vepruar për interesin e tyre”, deklaroi Kryeministri.

Edhe pse nuk dha më shumë detaje për largimin e tij nga puna, ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame, e komentoi me një batutë, ku e cilësoi si një dhuratë për ditëlindje.

"Unë nesër kam ditëlindjen dhe pas 3-4 ditësh duhet të bëjë vizitat e asaj ngjarjes së shëndetit që pata para pak vitesh. E konsideroj këtë tërheqje edhe si dhuratë ditëlindje se vërtet duhet të kujdesem edhe pak për shëndetin”, tha Lame.

EMISIONET