Hidhet shorti në GJKKO për dosjen Meta-Kryemadhi, caktohet trupa gjykuese
Këtë të martë është hedhur shorti në Gjykatën e Posaçme ku është caktuar edhe treshja gjykuese që do të japë vendimit për ish-presidentin Ilir Meta dhe Monika Kryemadhin.
Shorti ka përcaktuar 3 gjyqtarët, të cilët janë Erjon Bani, Rudina Palloj dhe Marinela Osmani.
Në seancën e dytë të gjyqit në themel ndaj ish-presidentit, Gjykata vendosi ndarjen e dosjes në dy çështje të veçanta.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, deklaroi pas seancës se trupi gjykues pranoi kërkesën për ndarjen e procedimit për të pandehurit Ema Çoku, Fatime Kryemadhi dhe Pirro Xhixho, të cilët do të gjykohen veçmas me procedurë të shkurtuar.
Ndërkohë, Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, do të përballen me gjykim të zakonshëm.
Sipas mbrojtjes, kjo zgjedhje është bërë për të provuar pafajësinë e ish-presidentit.
“Do të ndjekim gjykimin e zakonshëm sepse duam të provojmë pafajësinë e zotit Meta”, tha avokati Cakrani, duke shtuar se çështja do t’i nënshtrohet sërish shortit për përcaktimin e trupës së re gjykuese.
Pas seancës reagoi edhe Kryemadhi, e cila hodhi poshtë akuzat për shpenzime të pajustifikuara dhe i cilësoi pretendimet ndaj familjarëve të saj si “absurde”.
Ajo deklaroi se të gjitha shpenzimet janë të deklaruara dhe se Meta nuk është marrë me administrimin e financave familjare.
“Meta nuk është marrë kurrë me shpenzime shtëpie. Ka kaluar shumë pak kohë me familjen për shkak të angazhimit në politikë”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi, kritikoi hetimet ndaj Metës, duke i cilësuar ato “skandaloze” dhe pa prova konkrete penale.
Paralelisht me procesin gjyqësor, GJKKO rrëzoi edhe kërkesën e Metës për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Prokurori Sotir Kllapi argumentoi se nuk ka rrethana të reja që justifikojnë lehtësimin e masës, ndërsa theksoi se rrezikshmëria shoqërore mbetet evidente.
Sipas prokurorisë, veprimtaria për të cilën akuzohet Meta shtrihet në periudhën 2009–2017 dhe lidhet me çështjet CEZ/DIA dhe lobimin në SHBA.
Meta akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Ai ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi hetohet nën masën “detyrim paraqitjeje”.
Seanca e radhës për të pandehurit që do të gjykohen me procedurë të shkurtuar pritet të mbahet pas dy javësh, ndërsa për çështjen Meta-Kryemadhi fillimisht duhet të caktohet trupa e re gjykuese.

