Hetimi amerikan, Berisha: Rama bashkë me McGonigalin në burg, Gjiknuri i dha HEC-e oligarkut rus në dosjen e FBI-së

Ndërsa sot Charles McGonigal, që njihet për miqësinë e tij me kryeministrin Edi Rama, ish-zyrtari i FBI-së pritet të dalë përpara gjykatës në SHBA për t’u njohur me akuzat ndaj tij se ka marrë para nga një ish-zyrtar i shërbimeve sekrete në Shqipëri, lajmi vijon të shkaktojë tensione në politikën në vend.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me PBDNJ-në për zgjedhjet e 14 majit, deklaroi se Edi Rama e ka vendin në burg aty së bashku me mikun e tij McGonigal, ndërsa tha se Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjknuri në kohën kur ishte ministër i ka dhënë leje për ndërtimin e hidrocentraleve oligarkut rus që bashkëpunonte me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së.

"Edi Rama duhet të pësojë fatin e Charles McGonigal. Ai ka kryer një nga aktet më të rënda në historinë 100-vjeçare në marrëdhëniet me SHBA. Unë nuk them se Edi Rama i dobësoi karakterin amoral një zyrtari që kishte një besim aq të lartë, sa pakkush tjetër, në vendin e tij. Por kryeministri i një vendi partner, nuk mundej kurrë të shfrytëzonte për qëllimet e veta, as dobësinë më të vogël, sikur të kishim të bënim me një fuqi armike, dhe jo me partnerin kryesor strategjik.

Edi Rama duhet të ikë sa më parë. Është njëra anë çështja penale me të cilën do merret drejtësia në dy vendet, por ana morale është tmerrësisht e rëndë. Ka përdorur korrupsionin. Se çfarë tregon ky rast? Ky tregon përdorimin e korrupsionit ndërkombëtar kundër opozitës shqiptare, tregon se Tirana e Edi Ramës është një qendër botërore e korrupsionit të njerëzve, tregon se Edi Rama nuk njeh asnjë parim për interesa të pushtetit të tij.

Po lexoja sot se McGonigal mund të shkojë deri në 80 vite dënim. Absolutisht asnjë vit më pak nuk meriton Edi Rama se ai. Ka kryer akte të tmerrshme, që nuk i bën kurrë kryeministri i një vendi partner. Ka përdorur segmente të policisë sekrete të Enver Hoxhës, për të realizuar një akt makabër në marrëdhëniet mes dy vendeve. Edi Rama duhet të zbërthehet. Thashë që do ketë komision hetimor parlamentar, do ketë bashkëpunim me SHBA për t’i shkuar gjer në fund kësaj çështje.

Hetimi do të jetë kompleks. Oleg Deripaska ka arritur gjer në statusin e investitorit strategjik në Shqipëri. Kjo është e vërteta. Përveç të tjerash gjithçka do të hetohet. Dhe këtu ne nuk heqim dorë", theksoi Berisha.

McGonigal akuzohet se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë, duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt pagesës, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor. Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

EMISIONET