"Hakmarrja" e Kryesisë së PD, Bardhi: Akt qesharak, nën efektin e dëshpërimit! Vulën nuk ma hiqni dot
Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi ka reaguar pasi Kryesia i mori vulën. Për Bardhin këto janë akte qesharake, që bëhen nën efektin e dëshpërimit.
Më tej, Bardhi shton se administrimi i Vulës i takon Sekretarit të Përgjithshëm dhe vendimi i Kryesisë së PD praktikisht është nul pasi përbën shkelje në Statutin e partisë, madje me ironi shton se me këtë ritëm mund të merret ndonjë vendim për t’i hequr kurorën edhe mbretit të Anglisë.
Më herët Kryesia ka vendosur që të ngarkohet Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Indrit Sefa për prodhimin dhe administrimin e vulës së partisë.
“Nuk e kam zakon te komentoj veprime dhe akte qesharake dhe nen e efektin e dëshpërimit. Por për kureshtjen tuaj:
Vula administrohet sipas nenit 8 të Statutit dhe urdhrit nr. 218, datë 07.11.2019 të Kryetarit të Partisë; ndërsa dokumentimi, arkivimi, dhe protokollimi behet sipas nenit 21 të Statutit të Partisë dhe rregullave të miratuara me udhëzimin nr. 8, datë 19.01.2020 të Sekretarit të Përgjithshëm.
Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD.
Për këtë arsye, për zhvillimet në PD referojuni vetëm dispozitave të Statutit, se me letra me firma mund t'ju vij keto ditë edhe ndonjë vendim për sekuestrimin nga “Kryesia e PD” e kurorës së mbretit të Anglisë!”, shprehet Gazment Bardhi.