Gara për Vlorën, Dredha takon banorët e Novoselës, premton rehabilitim të rrugëve
Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha, vazhdon takimet intensive me banorët në kuadër të fushatës së 14 Majit.
Në takimin e me banorët e Novoselës, Dredha u ndal në planin e tij për Bashkinë e Vlorës.
"Ne duhet të dëgjojmë kritikat për të krijuar ide dhe për të krijuar zhvillim, dhe ky është objektivi im për të takuar të gjithë banorët", tha Dredha.
Ermal Dredha theksoi se do të hartojë një platformë të qartë dhe një projekt me qëllim që Bashkia e Vlorës të shohë më mirë nga afër problematikat dhe të ofrojë zgjidhje sa më të shpejta.
Ai premtoi të përfundonte rehabilitimin e rrugëve të fshatrave në Novoselë dhe rrugën hyrëse në këtë zonë.
"Do të hartojmë një projekt, një platformë shumë të qartë, me qëllim që edhe bashkia të shohi më mirë nga afër problematikat për një zgjidhje sa më të shpjetë. Jo të presim gjithmonë nga investimet e qeverisë, por të bëjmë punë të koordinuar më së miri që të mbarojmë një herë e mirë me rehabilitimin e rrugëve të fshatrave në këtë njësi administrative, ashtu sikurse kemi premtuar që do të mbarojmë edhe rrugën hyrëse në Novoselë. Roli i administratorit do të jetë i rëndësishëm në këtë proces dhe do të ketë një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët për të përcjellë ankesat dhe propozimet e tyre tek sporteli i dedikuar nga administratorët e njësive"- u shpreh kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Vlorë.
Dredha po ashtu tha se Bashkia e Vlorës do të krijojë një sportel të dedikuar vetëm për bujqësinë me një skuadër të veçantë të dedikuar vetëm për pastrimin e kanaleve kulluese dhe lehtësimin e aksesimit në tokat bujqësore.
Ai premtoi se do të investojë në një flotë të dedikuar makinerish të cilat do të jenë të dedikuara vetëm për këtë zonë.
"Gjithashtu Bashkia e Vlorës do të ketë një sportel të dedikuar vetëm për bujqësinë dhe kjo jo pa qëllim, sepse problematikat që kemi hasur duhet të marrin një zgjidhje. Që do të thotë pastrimi i kanaleve kulluese që ka mbetur një gangrenë në këto zona dhe ua premtoj se do të marrë një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Do të krijojmë një flotë të dedikuar makinerish të cilat do të jenë të dedikuara vetëm për këtë pjesë. Pjesë e punës tonë do të jetë dhe puna për lehtësimin e aksesimit në tokat bujqësore. Do të krijojmë një skuadër të veçantë të dedikuar vetëm për këtë gjë"- vijoi Ermal Dredha.
Dredha u angazhua se do të punojë fort për të ndërtuar një Bashki e cila i dëgjon qytetarët dhe u ofron zgjidhje sa më të shpejta për problematikat e tyre.