Fushatë mes fishekzjarreve në Durrës, Cara: Ti japim fund arrogancës së piktorit dhe klientelizmit të betonit
Ish-kryeministri Sali Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votimet e 14 majit gjatë takimeve elektorale në mbështetje të kandidatëve të koalicionit Bashkë Fitojmë. Berisha tha se demokratë, socialistë dhe qytetarë pa parti duhet të vulosin me votë ndryshimin.
Igli Cara e ndërpreu disa herë fjalën nga thirrjet dhe fishekzjarret në takimin elektoral të kandidatëve të koalicionit Bashkë Fitojmë në qarkun e Durrësit me Sali Berishën.
Kërkoi votën më 14 maj për tu kthyer qytetarëve bashkinë sipas tij të uzurpuar.
"Ti japim fund arrogancës së piktorit dhe klientelizmit të betonit.Durrësi jeni ju."
Duke theksuar se Durrësi e ka vendosur ndryshimin, Sali Berisha ftoi qytetarët të dalin masivisht në votimet e 14 majit.
"Me votën tuaj firmosni ndryshimin, vota juaj është jetike".
Ndërsa nga Kavaja ku kërkoi mbështetje për kandidatin Fisnik Qosja, Berisha tha se kjo bashki do të jetë në krye të asaj që e cilësoi fitore ndaj monizmit në ri.
"Kavaja nuk shitet dhe nuk blihet kurrë, Kavaja është e vendosur të kthejë pluralizimin."
Thirrjen për pjesëmarrje masive në votime përtej partive politike Berisha e përsëriti edhe në takimin elektoral në mbështetje të kandidatëve të Koalicionit Bashkë Fitojmë për bashkinë Lushnje e Divjakë.
Më herët të mërkurën, ish-kryemistri demokrat ishte në Malësinë e Madhe nga ku akuzoi Ramën se ndjell përçarje e ndasi me gjuhën e tij.