Berisha: Durrësi e ka nevojë jetike shpëtimin nga kthetrat e mafies

Koalicioni opozitar "Bashkë Fitojmë" zhvilloi këtë pasdite një miting madhështor në Durrës, duke mbyllur fushatën elektorale të 14 majit për bashkinë e qytetit bregdetar. 

Kryetari i PD, Sali Berisha kërkoi votën e qytetarëve për kandidatin e opozitës, Igli Cara. 

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se Durrësi ka nevojë jetike shpëtimin nga kthetrat e një mafie e e cila është e pashpirtë ndaj qytetarëve. 

"Të dashur qytetare e qytetarë të Durrësit, vëllezër e motra, zonja e zotërinj. Përshëndetjet me të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për këtë entuziazëm të jashtëzakonshëm. Ky miting, ky entuziazëm i njerëzve të lirë, i njerëzve me ideale për Durrësin dhe Shqipërinë, dëshmon se Durrësi ka vendosur ndryshimin, se Durrësi me 14 maj do të votojë njërin nga bijtë e vet më të shquar, njërin nga qytetarët më shembullorë, njërin nga politikanët që don më shumë qytetarët e këtij qyteti, banorët e këtij rrethi, Igli Carënn. Dëgjova me kënaqësi të jashtëzakonshme, me vëmendje të madhe programin e Igli Carës. Mund të cilësohet simfonia për të sotmen dhe të ardhmen e Durrësit.

Igli Cara pas takimesh të hapura, të sinqerta, intensive me banorët e qytetit, banorët e rrethit të Durrësit, vjen para jush me një program i cili do të shërojë plagët e pamerituara që mori Durrësi në këto 23 vite nga sundimi në disa mandate i mafias më të pashpirtë të Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës. Durrësi, qyteti i lavdisë historike, qyteti port e kombit drejt perëndimit, ka nevojë jetike ndryshimin. Durrësi ka nevojë jetike shpëtimin nga kthetrat e një mafie e cila është e pashpirtë ndaj qytetarëve të Durrësit, e pashpirt ndaj trashëgimisë së Durrësit, e pashpirt ndaj të ardhmes së durrsakëve. 

14 maji do të jetë fundi i saj.  Durrësi kjo trashëgimni madhështore e qytetërimeve, e kombit, njohu këto vite të qeverisjes mafioze, shkatërrimet më të mëdha se sa nga luftërat, se sa nga tërmetet, se sa nga cunamet. Mbi monumentet e Durrësit u vërsul me egërsi të pamëshirë mafias Rama-Dako-Sako dhe me radhë. Durrësi që me portin e vet begaton qytetin dhe vendin, po pëson pushtimin më të egër. 2700 vite asnjë pushtues nuk ja preku portin Durrësit, nuk ja preku aortën, nuk ja preku rrugën kryesore të frymëmarrjes, portën e kombit drejt perëndimit. 

Tani Edi Rama për të realizuar ëndërrën e tij arabe prej miliarderi do të na e shndërrojë Durrësin në Dubai City. Unë nuk jam racist, kam respekt për kombet dhe qytetërimet, por ne kemi një testament. Ata të cilët krijuan doktrinën tonë kombëtare, shkrojtën se, për ne dielli lind jo nga lindja, por nga perëndimi. Ndaj dhe Durrësi do të mbetet gjithmonë syri i perëndimit për kombin shqiptar. Edi Rama me një babëzi të papërmbajtur mendon të realizojë ëndërrën e tij, të bëhet miliarder si Alalabari duke plaçkitur 800 mijë metër katrorë truall, tokë të durrsakëve. Kurrë nuk do të lejohet", tha Berisha.

zgjedhjet e 14 majit fushata zgjedhore

EMISIONET