““Flamingot” po i dëgjoj!” - Rama flet në Gjermani për “Revolucionin” dhe mesazhet për qeverisjen
Kryeministri Edi Rama tha se "Revolucioni i Flamingove" ishte një mesazh për qeverisjen, por u shndërrua në një arenë të aktorëve dashakeqë për shkak të dezinformimit dhe ndikimit të algoritmeve. Nga Gjermania, ai theksoi se Shqipëria është një "laborator inteligjent" në Evropë dhe se transformimi digjital ka reduktuar korrupsionin në shërbimet publike.
Kryeministri Edi Rama ndau një lexim ndryshe për të ashtuquajturin Revolucioni I Flamingove, ndërsa mori pjesë në në forumin evropian të inovacionit dhe sipërmarrjes "Ruhr Summit", në Gjermani.
Kreu I qeverisë, foli për mësime të nxjerra nga protesta por edhe sfidat që sjell inovacioni dhe zhvillimi teknologjik.
Rama: "Disa ditë më parë vendi im u njoh me një laborator. Revolucioni i Flamingove u shndërrua në një mesazh për mua si kryeministër, duke u përpjekur t’i kuptoj shqetësimet dhe ankthet që i sollën njerëzit atje. Qeveria resht së dëgjuari, resht së qeverisuri. Ajo që dua të them është se pas kësaj të mire erdhi e keqja; protesta u shndërrua në arenën e aktorëve dashakeqë. Konteksti u zhduk."
Kryeministri si anë tjetër të medaljes theksoi se si realiteti digjital dhe algoritmet dhe dezinformimet mund të zhdukin realitetin madje edhe kontekstin e një proteste
Rama: "Protesta online nuk po përshkruante protestën. Realiteti digjital u bë më ndikues se protesta fizike. Demokracitë po dëmtojnë veten, sepse ende nuk kanë gjetur kurajën për të bërë dallimin mes lirisë së fjalës dhe lirisë së shpërndarjes. Çdo diktaturë mbështetet te shpërndarja, duke shtypur çdo alternativë tjetër. Algoritmi nuk ka nevojë të shtypë përmes një policie sekrete; algoritmi thjesht mbyt gjithçka tjetër, përveç indinjatës."
Shefi i ekzekutivit theksoi se sot pushteti matet me inteligjencë dhe informacion, jo me forcë fizike, ndërsa shtoi se Shqipëria është shndërruar në një laborator të inteligjencës.
Rama: "Lënda e parë dhe më e rrallë në historinë tonë ishte dija dhe kjo po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Ky është revolucioni i heshtur që po përhapet në të gjitha vendet. Më kanë ftuar si përfaqësues të një prej laboratorëve më të vegjël inteligjentë në Evropë."
kryeministri u ndal te transformimi digjital i vendit, duke theksuar se Shqipëria ofron tashmë rreth 95% të shërbimeve publike online, përmes një "revolucioni administrativ" që, sipas tij, ka reduktuar korrupsionin.
Rama: "Të vetmet shërbime që nuk janë ende online janë martesat dhe shenjat e gishtave. I dhamë një fytyrë kësaj inteligjence, i dhamë emrin 'Diella' dhe bëmë atë që nuk e ka bërë asnjë qeveri: i dhamë një titull. Inteligjenca artificiale u jep qytetarëve më shumë informacion dhe i bën gabimet e dëmshme të pamundura për t'u fshehur. Algoritmi nuk merr ryshfet."
Kreu I qeverisë pati një takim edhe me kryeministin e landit Nordrhein-Vestfalen, në qendër të diskutimit ishte bashkëpunimi me fokus investimet, teknologjinë digjitale, arsimin profesional dhe patjetër, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian
