EURODEPUTETËT: NARTA NË RREZIK! “Ndërtimet në Zvërnec në shkelje të rregullave të BE-së”
Në përfundim të misionit treditor në Shqipëri, eurodeputetët e grupit të të Gjelbërve ngritën shqetësime për ndërhyrjet në zonën e Nartës dhe projektet e planifikuara në Zvërnec. Ata kërkuan ndalimin e menjëhershëm të punimeve, duke i cilësuar ato në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Europian për mbrojtjen e natyrës. Delegacioni deklaroi gjithashtu se gjetjet e misionit do t’i paraqiten Komisionit Europian.
Pas tre ditësh takimesh me autoritetet, organizatat mjedisore dhe qytetarët, delegacioni i eurodeputetëve të grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian prezantoi përfundimet e misionit të zhvilluar në Shqipëri.
Shefja e delegacionit, eurodeputetja Tineke Strik, deklaroi se ndërhyrjet e kryera dhe projektet e planifikuara në zonën e Zvërnecit përbëjnë një kërcënim serioz për ekosistemin e Nartës.
Citim Tineke Strik "Ndërtimet e planifikuara në këtë zonë të brishtë janë një kërcënim i madh. Është vërtet e trishtueshme të shikojmë se sa dëm tashmë është bërë tashmë. Planet dhe dëmi i shkaktuar përbëjnë shkelje të hapur të direktivave të BE-së për zogjtë dhe habitatet. E kuptoj pse kaq shumë qytetarë vazhdojnë të dalin në rrugë."
Eurodeputetja bëri të ditur se gjetjet e misionit do t'i diskutohen edhe Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, ndërsa kërkoi që Bashkimi Europian të monitorojë nga afër zhvillimet në terren.
Citim Tineke Strik "Parlamenti Europian ka qenë shumë i qartë: duhet të ketë një moratorium, në mënyrë që të mos ketë veprimtari të mëtejshme. Nuk duhet të mbështetemi vetëm te besimi, por edhe të monitorojmë aktivitetet konkrete në terren."
Delegacioni u shpreh i pakënaqur edhe me takimin e zhvilluar me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, duke theksuar se nuk mori garanci për pezullimin e punimeve.
Citim Tineke Strik " Si mund të vlerësosh nëse është e ligjshme të ndërtosh, duke ndërtuar paraprakisht? Në këtë pikë nuk ramë dakord. Nuk morëm garanci se nuk do të ketë veprimtari të tjera në zonë. Ai nuk i mori parasysh shqetësimet tona. Mbetem e shqetësuar se po krijohen fakte në terren përpara se të negociohet ky element i Kapitullit 27."
Në përfundim të misionit, eurodeputetët i bënë thirrje qeverisë shqiptare të respektojë shqetësimet e qytetarëve dhe të mbrojë zonat me vlera të veçanta natyrore, ndërsa theksuan se procesi i integrimit europian kërkon zbatim të standardeve mjedisore.
