"Protesta mes tensioneve", Kita: Qytetarët po zgjohen, protestat janë shenjë shprese!

Protestat e fundit në vend janë shenjë se qytetarët po reagojnë ndaj problemeve që i prekin dhe përfaqësojnë një sinjal shprese për shoqërinë shqiptare. Kështu u shpreh Emiljano Kita, aktivist i “Lëvizja Bashkë”, në një intervistë për “Ora News”, ku komentoi zhvillimet e fundit, përplasjet gjatë protestave dhe rolin e mediave.

Sipas Kitës, protestat e zhvilluara së fundmi, si ajo e banorëve të Rrjollit kundër betonizimit të një zone të mbrojtur dhe aksioni politik para Parlamentit, tregojnë se qytetarët nuk janë më indiferentë. Ai kritikoi mënyrën e ndërhyrjes së policisë ndaj protestuesve, duke e cilësuar të pajustifikuar përdorimin e forcës për akte simbolike, si hedhja e vezëve ndaj automjeteve zyrtare.

Aktivisti akuzoi qeverinë se po favorizon interesat e oligarkëve dhe jo të qytetarëve, ndërsa shtoi se ligjet e miratuara në vitet e fundit, sipas tij, janë hartuar për t’i shërbyer interesave të grupeve të caktuara ekonomike dhe jo interesit publik.

Duke u ndalur te roli i medias, Kita theksoi se siguria e gazetarëve duhet të garantohet në çdo protestë dhe se as protestuesit, as policia nuk duhet t’i vendosin ata në rrezik. Ai vlerësoi sjelljen e pjesëmarrësve ndaj gazetarëve, por ngriti kritika ndaj një pjese të mediave tradicionale, të cilat sipas tij nuk e pasqyrojnë drejt mesazhin e protestuesve.

Në fund, aktivisti argumentoi se pakënaqësia qytetare buron nga problemet sociale dhe ekonomike me të cilat përballen shqiptarët, duke përmendur pensionet e ulëta, gjendjen e shërbimeve publike dhe infrastrukturës.

Sipas tij, këto janë arsyet që po shtyjnë gjithnjë e më shumë qytetarë të dalin në protestë dhe të kërkojnë ndryshim.

Emiljano Kita:Kur ka protesta ka shpresë edhe këto protesta janë shumë pozitive edhe çdo qytetar që na shikon duhet t'i shikojë me një farë ndjenje të veçantë pozitiviteti. Fakti që Shqipëria, fakti që shoqëria po reagon edhe po zgjohet. Dje kishte dy protesta paralele. Ishte në orën 10:00 në Rrjoll ku banorët e Rrjollit po tregonin prezencën e tyre atje, ku po betonizohet një zonë e mbrojtur dhe ju është tjetërsuar prona e tyre. Dhe aty arrita të kuptoja që situata kishte eskaluar në protestën, në fakt në aksionin politik, nuk mund ta quaj protestë, por aksionin politik të zhvilluar ditën e djeshme në orën 10:00 para parlamentit.

Është e frikshme në fakt të jetosh në një shoqëri ku në qoftë se proteston 31 ditë rresht edhe proteston totalisht në mënyrë paqësore dhe do të zhvillosh një aksion politik siç është të gjuash me vezë makinat, makinat të cilat mbahen në fakt me taksat tona domethënë, ose janë blerë me taksat e qytetarëve, janë gjuajtur me vezë. Këto nuk janë akte radikale që qytetarët, protestuesit të tërhiqen zvarrë. Sigurisht që ka imunitet, por ai nuk po goditet fizikisht, ai po goditet moralisht sepse ai, si të thuash, atë çfarë përfaqëson ai deputet tashmë është shkrirë.

Sepse populli ka dalë në rrugë dhe po kërkon që të shkohet me patjetër, të jepet dorëheqja e një kryeministri i cili është kapur duke shitur vendin tonë. Domethënë është shitur tek oligarkë vendas ose oligarkë të huaj. Ajo çfarë po ndodh në Shqipëri nuk është aspak normale. Kemi të bëjmë me ligje të cilat janë bërë posaçërisht për t'i shërbyer oligarkisë ekonomike, për t'i shërbyer krimit të organizuar edhe kemi të bëjmë me një qeveri e cila nuk po i shërben më interesave të popullit.

 Është shumë e rëndësishme, është shumë e rëndësishme. Duhet, duhet të kuptojmë që siguria në punë është parësore. Pra, duhet ta shohim edhe gazetarin edhe si punëtor, ku duhet me patjetër që të drejtat e gazetarit të zbatohen me përpikmëri. As protestuesit dhe as policia nuk duhet të vendosë dorë ose në rrezik asnjëherë gazetarin, sepse është një pushtet i cili duhet të qëndrojë mbi palët.

Me thënë të drejtën, protestuesit janë sjellë shumë mirë, në masë të gjerë ndaj gazetarëve. Sigurisht që pjesëmarrja është masive, kemi të bëjmë me dhjetëra mijëra qytetarë, ose çdo ditë në mënyrë të përditshme mijëra qytetarë, dhe mund të ketë incidente të vogla. Mirëpo, në masë ka qenë një protestë qytetare, ka qenë një protestë e cila pasqyron më të mirën e shoqërisë tonë dhe gazetarët që janë aty janë duke u falënderuar nga masa.

Mirëpo kanë një kritikë shumë të madhe ndaj medias tradicionale e cila  po sjell keqkuptime të komunikimit të protestuesve.  Dhe ky është problem sepse shohin që shumë media janë të lidhura drejtpërdrejt me pushtetin, edhe po i shërbejnë më së shumti pushtetit sesa po i shërbejnë drejtpërdrejt zërit të protestuesve. Dhe kritika e tyre në fakt është përmbajtësore, është e qartë, por ama në asnjë moment protestuesit nuk kanë pasur asgjë me gazetarët.

 Shiko, çfarë quajmë, çfarë konsiderojmë gjuhë të ashpër? Jetojmë në një shoqëri ku pensionistët, shumica e pensionistëve marrin një pension prej 100 deri 150 euro. Pra jetojmë në një shoqëri ku nuk mund të marrim dot shërbim të mirë mjekësor. Jetojmë në një shoqëri ku infrastruktura rrugore, hekurudhore s'kemi se s'kemi, është e dërrmuar dhe e shkatërruar.

Jetojmë në një shoqëri ku bëhen ligje specifike për t'i shërbyer oligarkisë ekonomike. Jetojmë në një shoqëri ku në krye të shtetit kemi një kryeministër arrogant i cili në vend që të merret me problematikat me të cilat është zgjedhur, pra për t'i shërbyer popullit dhe qytetarëve, ai merret duke duke intimiduar protestues.

 

EMISIONET