"Do të heqim imunitetin… "/ Berisha paralajmëron Ramën për "McGonigal": Pa marrë përgjigje, Shqipëria do ketë vetëm kaos
Mocioni me debat për çështjen McGonigal ishte rasti i parë kur opozita i tha në sy Edi Ramës akuzat për lidhje me ish-agjentin e FBI të arrestuar në SHBA. Sali Berisha theksoi se kreu i qeverisë shqiptare është nën hetim në SHBA dhe se opozita do të bëjë gjithçka për ti hequr imunitetin diplomatik. Pa hetimin parlamentar, tha se nuk do të ketë normalitet.
Edi Rama e kishte lënë bosh karrigen e kryeministrit në parlament dhe ishte ulur mes deputetëve socialistë, kur Sali Berisha u ngrit në foltoren e Kuvendit për herë të parë gjatë mocionit me debat për çështjen McGonigal.
"Aty ku është karrigia e kryeministrit, aty qëndron sot Charles McGonigal, kurse ai që duhet të ishte aty është iluziv."
Fillimisht luajti me batuta për rivalin.
"I ka hyrë lepuri në bark dhe ka një frikë të tmerrshme nga ajo që i ka bërë vetes së tij."
Më pas ashpërsoi gjuhën.
Duke e parë në sy i tha Edi Ramës se ishte në hetim në SHBA për atë që cilëson skandali i shekullit.
"Je në hetim, ke kryer krim. Sado të të mbajë imuniteti diplomatik, do të bëjmë gjithçka që ta heqim ty atë."
Përgjigjet e kryeministrit nuk i bindin opozitarët, ndaj ngritja e komisionit hetimor është kërkesë e panegociueshme për normalitet.
"Pa marrë përgjigje këto pyetje Shqipëria do të ketë kaos, kaos dhe vetëm kaos."
Ndërsa Berisha e akuzonte, Edi Rama u kthye në vendin e tij.
"Pyetjet janë 13, mund të ishin 130".
Dhe kur kryeministri u largua nga salla e Kuvendit, Sali Berisha e quajti kufomë politike.
"Foli si një kufomë e pakallur, iku si hije sepse ka kryer krime shumë të rënda."
E akuzoi direkt të përfshirë në skemën e gjobëvënies ndaj biznesmenëve në Shqipëri, të cilët e ka denoncuar në vazhimësi.
"Janë kryer veprime të tjera korruptive nga licencat e naftës te gjobitjet e shumta të biznesmenëve shqiptarë, të cilëtpërsëri ngurojnë të tregojnë por që në kushtet e një komisioni hetimor parlamentar i cili u garanton mbrojtje të plotë, unë jam i bindur se ata një nga një do të dëshmojnë."


