Deklaratat për McGonigal, Vasili: Edi Rama një gërmadhë korruptive dhe zuzar mafioz!
Nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të mbrëmjes së djeshme të kryeministrit Edi Rama lidhur me skandalin e arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
Dume marrë shkas nga refuzimi i llogaridhënies në Kuvend për këtë çështje, përmes rrjeteve sociale, Vasili thotë se Edi Rama është një gërmadhë korruptive dhe zuzar mafioz.
“Duke refuzuar llogaridhënien në Parlament ky individ është vetëlarguar dhe vetasgjesuar ligjërisht dhe moralisht.
Antikushtetues, i paligjshëm, i korruptuar dhe korruptues, ky individ është thjesht një zaptues ordiner i zyrës së Kryeministrit dhe që nuk ka as lidhjen më të vogël as me shtetarin dhe njeriun e ligjit, por vetëm me antiligjin dhe antishtetin.
I dështuar në çdo drejtim, i korruptuar në çdo pikëpamje dhe mafioz në çdo veprim, ky është portreti i kryeministrit më dizastër që Shqipëria ka parë ndonjëherë.
Dështak ekzemplar, Edi Rama është kryeministri që i ka sjellë vetëm të këqia të rënda, sepse: E bëri Shqipërinë narkoshtetin e vetëm të historisë së Evropës;
E bëri të parën për korrupsion në Evropë dhe të dytën në botë;
Largoi nga Shqipëria qindra mijëra shqiptarë, më keq se në fundvitet ’90-të.
Tmerrohet nga llogaridhënia dhe nuk vjen në Parlament, pasi është i zi në çdo veprim, aq sa korruptoi edhe McGonigal për interesat e tij mafioze politike e personale, duke bërë pis edhe marrëdhëniet aq të rëndësishme me SHBA-në;
E ktheu zyrën e kryeministrit në një çerdhe mafioze të neveritshme;
E ktheu parlamentin përmes deputetëve të tij të pacipë në noterizues të vjedhjeve të tij prej miliarda eurosh dhe prodhues ligjesh me porosi të mafies dhe oligarkëve;
E futi Shqipërinë në listën e zezë të pastrimit të parave;
E futi Shqipërinë nën monitorimin e BE-së si vend me financa të shkatërruara nga pikëpamja fiskale;
E vodhi me inceneratorët për qindra milionë euro;
E vodhi me Portin e Durrësit për miliarda euro;
Vjedh dhe shkatërron pronat e shqiptarëve, përmes banditëve të IKMT-së, që zbatojnë urdhërat e tij mafiozë e të paligjshëm;
I la shqiptarët pa drejtësi, duke shkatërruar dhe kapur drejtësinë për veten e tij dhe për interesat e bandës së tij mafioze;
I shet kufijtë e Shqipërisë si një tradhëtar dhe mafioz, si askush në histori.
I futi thikën pas shpine Kosovës me kufijtë dhe “Ballkanin e Hapur”!
Si përfundim, çdo mjet për largimin e këtij individi të paligjshëm është legjitim.
Asnjë kompleks nuk duhet patur në këtë betejë në emër të ligjit dhe të interesit publik aq të rrënuar e tronditur nga veprimet e këtij individi, që përfaqëson një gërmadhë korruptive dhe zuzar mafioz”, deklaron në reagimin e tij nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili.