Marrëveshja SHBA-Iran drejt kolapsit? S*lmet dhe mosbesimi rrisin tensionet

Gati një muaj pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord për një Memorandum Mirëkuptimi me synimin për të ndalur përshkallëzimin e konfliktit dhe për të hapur rrugën drejt negociatave më të gjera, marrëveshja po përballet me sfidën e saj më të madhe.
Në ditët e fundit, tensionet janë rritur ndjeshëm pas sulmeve ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Si kundërpërgjigje, ushtria amerikane ka kryer qindra sulme ndaj objektivave në bregdetin iranian dhe në zona të tjera të vendit.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për mosrespektim të angazhimeve dhe mungesë vullneti për zbatimin e marrëveshjes.
Një nga pikat më të debatueshme të memorandumit mbetet neni 5, i cili përdor formulime të përgjithshme.
Dokumenti parashikon që Irani të bëjë “përpjekjet e tij më të mira” për të garantuar sigurinë e lundrimit tregtar për 60 ditë, ndërsa njëkohësisht i ngarkon Iranit dhe Omanit të përcaktojnë administrimin e ardhshëm të Ngushticës së Hormuzit.
Për Teheranin, kjo nënkupton një rol aktiv në menaxhimin e kësaj rruge strategjike detare. “Ngushtica e Hormuzit mbetet nën mbikëqyrjen dhe menaxhimin total të Iranit gjatë 30 ditëve të ardhshme. Vetëm pasi të hiqen të gjitha pengesat do të rikthehet kapaciteti total i rrugës ujore”, deklaroi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Një burim rajonal i cituar nga “CNN” e përshkroi memorandumin si një mekanizëm që funksionon vetëm përkohësisht.

