Bllokuan foltoren, PS kërkon përjashtimin për 10 ditë për 8 deputetë të PD-së
Socialistët kërkojnë ndëshkimin edhe të 8 deputetëve të PD-së që bllokuan foltoren duke kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për çështjen "McGonigal". Vendimi pritet të merret nesër nga Komisioni i Etikës, ashtu sikurse Konferenca e Kryetarëve do të vendosë të martën për Komisionin Hetimor dhe për mocionin me debat për të njëjtën çështje.
Debati i të enjtes ku opozita nuk pranoi diskutimin e asnjë projektligji pa u realizuar interpelanca me Edi Ramën për çështjen "McGonigal" ka sjellë një tjetër kërkesë të socialistëve për ndëshkimin e demokratëve.
Përmes një shkrese zyrtare, kryetares së Kuvendit i kërkohet përjashtimi me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të Luçiano Boçit, Ervin Salianjit, Ina Zhupës, Albana Vokshit, Luan Baçit e Tritan Shehut, Gazmend Bardhit dhe Bledion Nallbatit.
Një vendim i tillë vjen vetëm pak ditë nga ndëshkimi dhe i Sali Berishës e katër opozitarëve të tjerë.
Pritet që kjo kërkesë të trajtohet të martën nga Komisioni i Etikës, teksa Konferenca e Kryetarëve pritet të mblidhet po në të njëjtën ditë për të shqyrtuar ndër të tjera kërkesën për Komision Hetimor për marrëdhënien e kryeministrit Edi Rama dhe ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles MecGonigal.
Një tjetër nismë që do të trajtojnë anëtarët e Konferencës është dhe mocioni me debat me Ramën, po për të njëjtën temë.
McGonigal është tashmë nën hetim në SHBA për marrëdhëniet me oligarkun rus Oleg Deripaska por edhe sepse nuk ka deklaruar vizitat në Shqipëri si dhe një shumë prej 225 mijë dollarësh të marrë nga Agron Neza.
Është kërkuar përjashtim për deputetët:
-Luçiano Boçi
-Gazmend Bardhi
-Bledion Nallbati
-Albana Vokshi
-Ina Zhupa
-Luan Baçi
-Tritan Shehu
-Ervin Salianji
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.