Betonizimi i Pogradecit, Boçi: Model korrupsioni dhe shkel UNESCO-n! Kur do të veprojë SPAK-u?
Në një konferencë të posaçme për shtyp, deputeti demokrat Luçiano Boçi i shoqëruar nga kreu i PD-së në Pogradec denoncoi një tjetër aferë, sipas tij, korruptive, që siç tha ai është rasti i kafshimit dhe rrëmbimit të hapësirës publike për pazare dhe allishverishe të pista.
“Për t’ia dhënë atë klientëve të zgjedhur, të cilët shërbejnë pas edhe si arka nga ku dalin një pjesë e parave të pista për të devijuar votën dhe manipuluar proceset zgjedhore.
Rama, pasi lau duart me jugun, kreu punë atje. E ndau copa-copa, duke ia dhënë ‘investitorëve strategjikë’, familjarëve të itareve, klientëve të tij, tani i është sulur vijës liqenore të Pogradecit, për ta bërë Pogradecin rastin tipik të dytë, viktimë të kombinimit të korrupsionit ekonomik me korrupsion politik, duke transferuar pasuritë publike në duart e investitorëve, të cilët në fakt janë ajo pjesa familjare e bashkëpunimit të Ramës në korrupsionin politik dhe ekonomik, për të gllabëruar dhe rrëmbyer pasurinë tonë të përbashkët publike që na takon të gjithëve, sidomos në zona të veçanta, siç është bregdeti apo siç është zona e mbrojtur e liqenit të Pogradecit, duke ua dhënë këto prona njerëzve të targetuar dhe të faktuar si anëtarë të bandave kriminale siç ka ndodhur sot me Velipojën.
Ky është një model që e kemi hasur në Tiranë dhe që fatkeqësisht po aplikohet në qytete të vogla turistike me vlerë shumë të madhe. Një gjë e pandodhur jo vetëm në rajon, por edhe në Europë.
Qytetet e vogla, pranë liqeneve, nuk pranojnë ndërtime të larta në formën e kullave sepse humbasin anën e tyre turistike dhe nuk tërheqin më atë pjesë që ne duam shumë, pjesën e turizmit.
Por Rama e ka parë betonizimin si një model ekonomik suksesi, por në fakt e ka model ekonomik korrupsioni. Edhe kur ka qenë vetë kryetar bashkie ka prodhuar para pafund, tani po e përdor për të prodhuar sërish para për veten e tij dhe klientët e tij, por duke e shtrirë tani në të gjithë Shqipërinë.
Mos harrojmë se jemi në Pogradec, në perlën e Shqipërisë, të dashuruar shumë nga shqiptarët, që ka një mbrojtje të veçantë nga UNESCO. Dhe ky vendim shkel jo vetëm marrëveshjen dypalëshe me Maqedoninë fqinje, por nuk konsideron as vendimet e UNESCO-s për zonat e mbrojtura.
Madje Shqipëria ka marrë edhe kërcënime të hapura, në rastin e zonës së Tushemishtit, për përjashtim nga UNESCO, por kryeministri nuk tutet para përfitimeve dhe korrupsionit ekonomik. Është i gatshëm të përjashtojë Pogradecin nga zonë e mbrojtur vetëm që të realizojë qëllimet e tij korruptive.
Mos harrojmë se zoti Rama ka nisur një hetim për zotin Berisha dhe dhëndrin e tij, zotin Malltezi, pse ky i fundit mori pronën dhe e zhvilloi atë. Ndërsa Rama për të disatën herë rrëmben prona publike, prona private me VKM dhe ua jep klientëve. Kjo është vepër korruptive, kjo është vepër penale.
Pyetja ime është kur SPAK do veprojë ndaj këtij korrupsioni të Edi Ramës?
Po sjell edhe dy fakte interesante për mediat sepse duhet të bëjmë edhe sqarimet përkatëse.
Ndoshta na akuzojnë ndonjëherë se jemi kundër biznesit. Jo, aspak, PD është parti e djathtë e përkrahjes dhe mbështetjes së biznesit, por biznesit të ndershëm dhe jo klientelës pranë kryeministrit që abuzon me hapësirat publike dhe ndikimin e kryeministrit.
Investitori në fjalë që ka projektuar ndërtimin e këtyre kullave është i kallëzuar në SPAK për 7 katet pa leje në sheshin Skënderbej dhe për kullën në godinën e ish-Policisë Bashkiake të Tiranës, të marrë në kundërshtim me të gjitha ligjet si leje ndërtimi po nga ky ndërtues.
Dhe për këtë rast është i kallëzuar nga SPAK nga zoti Belind Këlliçi. Pra ka dy kallëzime në SPAK.
Këta janë investitorët strategjikë që Rama i stimulon dhe që Rama i përdor dhe me të cilët bashkëpunon për të rrëmbyer hapësirën publike dhe për ta përdorur në ato forma që unë parashtrova”, deklaroi Luçiano Boçi.